A do të ketë para?! Qeveria jep premtime të mëdha – me çfarë çmimi?

A do të ketë para?! Qeveria jep premtime të mëdha – me çfarë çmimi?

Varësia e Fondit shtetëror për sigurim pensional nga buxheti qendror është gjithnjë e më e madhe, dhe për një dekadë ajo është rritur dyfish. Në të njëjtën kohë, zvogëlohet dallimi ndërmjet atyre që e mbushin dhe atyre që e zbrazin fondin pensional, transmeton Portalb. Për një periudhë të shkurtër qeveria paralajmëroi hapa me të cilat në mënyrë plotësuese do t’i rrisë shpenzimet nga arka e fondit. Një pjesë e ekonomistëve thonë se këto “vendime politike” do të kenë çmim të lartë që mund të paguhet nëpërmjet zvogëlimit të ardhshëm të pensioneve, rritjes së moshës së daljes në pension ose rritjes së tatimeve.

Populizëm i shtrenjtë ose masa të arsyeshme ekonomike… 

Pensione më të larta për pensionistët prej shtatorit, mundësi për blerje të stazhit, njohje e stazhit të bujqve me çka ata do të mund të fitojnë të drejtë për pension në bazë të moshës – për një periudhë të shkurtër qeveria miratori dhe zbatoi vendime dhe zgjidhje ligjore me të cilat synoi grupe të ndryshme të qytetarëve, mirëpo e përbashkët për të gjithë është se presin para nga Fondi shtetëror për sigurim pensional. Një pjesë e analistëve thonë se nevojiten masa për ndihmë dhe përkrahje të këtyre kategorive të qytetarëve, por edhe se duhet të analizohet gjendja e përgjithshme ekonomike, gjegjësisht kondicioni në të cilin gjendet fondi shtetëror.

“Qëndrimi im është se rritja e pretenduar e pensioneve është në fakt kthim i asaj që shkurtohet prej janarit deri tani. Mirëpo, qeveria ka filluar me fushatën zgjedhore dhe me ndihmën e mediave (pro)qeveritare gjithë këtë e prezanton si sukses të madh. Në këtë vend tashmë askush nga organet kompetente nuk kujdeset për ardhmërinë financiare të FSPIM. Kjo shihet nga premtimet ndaj grupeve të caktuara të qytetarëve, siç janë bujqit ose atyre që u mungon stazhi, për ta blerë atë. Askush nuk ka kundër që qytetarëve t’u mundësohet ndonjë e drejtë, mirëpo duhet të tregohet se prej ku do të sigurohen mjete financiare. Këto janë vetëm premtime politike dhe vendime për të cilat nuk është bërë analizë adekuate për implikacionet financiare. E gjithë kjo do të kontribuojë për rritjen e deficitit jo vetëm në FSPIM, por edhe në buxhetin shtetëror”, sqaron për Portalb, analisti, Sllobodan Najdovski.

Të dhënat tregojnë se varshmëria e fondit pensional nga buxheti qendror prej viti në vit rritet. Kështu, për dhjetë vite jo të plota, dotacionet nga buxheti në llogari të fondit janë rritur prej 20% në 41%.

Me njërën nga masat, qeveria u mundëson rreth 20 mijë qytetarëve që ta blejnë stazhin që u mungon, me të cilën, sipas propozuesit, do t’i ndihmohet një grupi të madh të qytetarëve që kanë punuar, e kompanitë nuk ua kanë paguar stazhin.

“Sipas njohurive tona, bëhet fjalë për 200.000 persona. Ata kanë punuar me vite, mirëpo kontributet e tyre nuk janë paguar. Prandaj, më vonë ata nuk kanë mundësi ta realizojnë të drejtën e pensionit, pasi që edhe sikur ta plotësojnë kushtin për pension në bazë të moshës, nuk do të kenë 15 vjet stazh pune. Kompanitë nuk u kanë paguar kontribute, e njerëzit kanë punuar”, tha ministri për punë dhe politikë sociale, Dime Spasov, para se të merret vendimi qeveritar.

Javën e kaluar qeveria i miratoi ndryshimet e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, sipas të cilave, disa qindra bujq individualë do të mund të fitojnë pension në bazë të moshës. Sipas paralajmërimeve, me këtë masë do të përfshihen rreth 400 bujq. Më parë, kryeministri paralajmëroi rritje lineare të pensioneve duke filluar nga shtatori.

Të gjitha këto paralajmërime paraqesin shpenzime të reja për fondin, thotë Najdovski.

“Buxheti i FSIPM-së nuk është gjendje që nga burimet e rregullta të sigurojë mjete për pagesën e pensioneve. Burimi i vetëm që i mbetet është buxheti i shtetit. Mirëpo, edhe ai është në deficiti të madh. Prej viti në vit rriten dotacionet nga buxheti. Për dhjetë vite jo të plota ato janë dyfishuar dhe prej 20% arritën në 41%. Situata aktuale është më e keqe se e “djeshmja”, ndërsa nesër do të jetë më keq se sot. Kjo vetëm e tregon gjendjen financiare të FSIPM-së, e cila varet nga buxheti i shtetit, dhe kjo nuk çon drejt stabilizimit të fondit. Nevojitet analizë gjithëpërfshirëse e gjendjes me planifikime reale se në çfarë drejtimi ec fondi dhe zbatim i atij plani. Duke e pasur parasysh se fondi ynë bazohet në parimin e solidaritetit, sjellja e organeve kompetente tregon papërgjegjësi të plotë ndaj funksionimit të FSIPM-së për gjeneratat e ardhshme”, konsideron për Portalb, analisti Najdovski.

A do të ketë para edhe për pensionistët e ardhshëm?

Sipas ekonomistëve, dy simptome janë alarmante kur analizohet kondicioni financiar, mirëpo edhe qëndrueshmëria e Fondit për sigurim pensional. E para, se dallimi ndërmjet atyre që marrin pension dhe atyre që e mbushin arkën e fondit zvogëlohet dhe e dyta se fondi nuk mbushet me të ardhura ashtu siç është planifikuar.

Sipas llogaritjeve të FSIPM-së, në çdo 1,8 të siguruar ka 1 pensionist, raport ky që duhet ta ndezë alarmin për qëndrueshmërinë afatgjate të fоndit për pagesën e rregullt të pensioneve, konsideron akademiku Abdylmenaf Bexheti. Profesori thotë se për të pasur qëndrueshmëri të fondit nevojiten 200.000 punësime të reja.

“Ne kemi problem serioz me Fondin për sigurim pensional. Problem të tillë ka çdokund në Evropë, mirëpo te ne kjo gjendje është endogjene, për shkak se intensiteti i përkeqësimit është shumë i madh. Para pothuajse dhjetë viteve, gjegjësisht në vitin 1996 kishim raport në tre të punësuar një pensionist. Sot ai raport është 1,6 të punësuar në 1 pensionist, që do të thotë se për 16 vite jo të plota ky raport është përkeqësuar për dy herë”, deklaroi para do kohësh profesori Bexheti.

Para rreth njëzet viteve në Maqedoni kishte raport prej tre të punësuarve në një pensionist, e tani 1,8 të siguruar në një 1 pensionist. Pa përqindje më të mëdha të rritjes ekonomike, e cila njëkohësisht do të nënkuptonte edhe hapje të vendeve të reja të punës, qëndrueshmëria e fondit pensional është e rrezikuar, vlerësojnë për Portalb analistët.

“Problem më i madh te ne është rritja ekonomike. Problem të madh paraqet edhe lirimi nga pagesa e taksve për investuesit e huaj. Koncepti i qëndrueshmërisë është aktiviteti i shtuar ekonomike me rritje prej gjashtë deri në tetë përqind të PBB-së, punësimi më i madh ku të punësuarit do të paguajnë kontribute. Çmimin e politikës së këtillë do ta pagujamë të gjithë. Nëse nuk ka rritje ekonomike, atëherë çmimi është ose përqindje më e madhe e kontributeve, ose kufi më i lartë i moshës për të dalë në pension ose zvogëlim i pensioneve. Diçka tjetër në botë nuk është zbuluar”, thotë Najdovski.

Përkeqësimi i gjendjes financiare të fondit pensional u regjistrua së pari pas realizimit të reformës pensionale dhe formimit të sistemeve private pensionale, e pastaj edhe rritja e vazhdueshme e lartësisë së pensioneve në gjendje kur arka e fondit ballafaqohet me probleme të likuditetit. Një pjesë e tyre u konstatuan edhe nga Revizori shtetëror.  /Portalb.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *