Aliti ndryshe nga qëndrimi zyrtar i BDI: Maqedonia me një njësi zgjedhore

Aliti ndryshe nga qëndrimi zyrtar i BDI: Maqedonia me një njësi zgjedhore

Nënkryetari i Kuvendit dhe deputet i BDI-së Rafis Aliti mbështet nismën që i gjithë territori i Maqedonisë të jetë një njësi zgjedhore, ndërsa listat për deputetë të jenë të hapura. Ndryshe nga qëndrimi i partisë së tij, Aliti vlerëson se ky model nuk është i dëmshëm për shqiptarët, por përkundrazi, do të demokratizojë partitë dhe institucionet, shkruan Alsat-M.

“Unë mendoj se nuk është në dëm të shqiptarëve, apo në dëm të partive më të vogla. Të gjitha analizat thonë se në rast se Maqedonia apo Kodi zgjedhor ndryshon dhe kemi një njësi zgjedhore, shqiptarët kuptohet me një votim dinjitoz prej së paku 60% e shqiptarëve të dalin të votojnë ata do të siguronin mbi 30 vende deputetësh. Gjithsesi partitë e mëdha nuk duhet të frikësohen nga një njësi zgjedhore pasi që do të fitojnë në demokratizimin brendapartiak dhe të institucioneve”, deklaroi Rafis Aliti, nënkryetar i Parlamentit.

Ndryshe nga qëndrimi i nënkryetarit të Kuvendit Aliti, BDI-ja para disa ditësh bëri një analizë ku u deklarua për mbetjen e sistemit aktual me 6-të njësi zgjedhore, ndërsa u propozuan ndryshime vetëm në pjesën e listave për deputetë, duke kërkuar që ato të jenë të hapura.

Propozimi për një njësi zgjedhore me lista të hapura mori përkrahje nga LSDM-ja dhe partitë e tjera opozitare maqedonase, partitë opozitare shqiptare RDK, Besa dhe Lëvizja për Reforma, si dhe ish partnerët e koalicionit të Gruevskit, LD-ja e Pavle Trajanovit dhe PRD-ja e Liljana Popovskës. VMRO DPMNE-ja është përcaktuar për modelin e shumicës, ndërsa kërkon edhe 17 deputetë bonus për partinë fituese të zgjedhjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *