Banorët e prekur nga përmbytjet në Tetovë ankohen për ritmin e pastrimit

Banorët e prekur nga përmbytjet në Tetovë ankohen për ritmin e pastrimit

Banorët e rajoneve të prekura nga vërshimet në Tetovë shprehen të zhgënjyer nga ritmi i ngadaltë i punimeve për pastrimin e vendbanimeve të tyre. Një pjesë e banorëve të fshatit Reçicë madje u ankuan se janë detyruar të paguajnë personalisht ekskavatorë me qëllim që të pastrojnë shtëpitë e tyre brenda. Pavarësisht kërkesës së tyre, autoritet lokale siç thonë banorët, janë angazhuar vetëm për pastrimin e rrugëve por jo për shtëpitë dhe oborret e tyre.

“Krejt me pagesë e pastrojmë këtë vendin. Komuna vetëm jashtë, vetëm rrugët i pastron. Ne me pagesë..sa do të na kërkojnë nuk e dimë..Komisioni vjen edhe shkon, rrinë në kafe”

“Kjo pjesë brenda që është pastruar me investimin tonë e bëjmë. Na premtuan pasi të pastrohet kjo pjesa brenda se do të pastrojnë jashtë. Neve sot na treguan se është dita e fundit po qe se e pastroni e pastroni, nëse jo do të mbetet kështu..”

“Edhe ne presim të vijnë, t’i vlerësojnë makinat janë në lloç..Prej tre javësh nuk punojmë asgjë, por ende nuk po vijnë…Komisionin e presim nga dita e enjte, sot thanë që do vijnë, akoma i presim. Unë qe tre javë rri këtu, vet e kam pastruar brenda..”

Nga Komuna e Tetovës hodhën poshtë ankesat e qytetarëve ndërkohë që theksuan se punimet po zhvillohen në mënyrë intensive.

“Banorët në një farë forme edhe është dashur të angazhohen të gjithë që sado pak të japin kontribut në këtë drejtim, me këtë edhe disa banorë që kanë qenë më pak të vërshuar ato i kanë pastruar vet shtëpitë, mirëpo te ata që ka pasur material të madh dhe është dashur të përdoren makineri të gjithë banorëve u është dalë në ndihmë për t’i pastruar oborret nga këto vërshime”, tha Hisen Xhemaili, Kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Pavarësisht paralajmërimeve për reshje të reja, nga Komuna e Tetovës nuk bën të ditur nëse kanë analizuar rajonet e rrezikuara nga përmbytjet e mundshme. Nga Komuna megjithatë njoftuan se një Komision i përbërë edhe nga ekspertë të Bashkimit Evropian po inspekton të gjitha vendet dhe brenda 10 ditësh do të dalë me një plan për përmirësimin e infrastrukturës në këto rajone. Autoritetet lokale presin edhe fonde të mundshme nga BE-ja për infrastrukturën. Nga ana tjetër, analiza në terren po bën edhe një ekip i ministrisë së Mjedisit Jetësor, për diga apo prita përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin, si dhe ngritjes së armaturave sidomos për përrenjtë që sollën përmbytjen. Në terren, paralelisht vazhdon edhe puna për dezinfektimin e objekteve publike dhe shkollave.

“Sot përfundon dezinfektimi i të gjitha shkollave në Komunën e Tetovës. Janë dezinfektuar 27 objekte të shkollave fillore dhe të mesme po ashtu është bërë dezinfektimi i të gjitha çerdheve”, tha Ahmet Qazimi, Përgjegjës i Shtabit emergjent për fshatin Recicë.

Ndërkohë në shumë rajone të prekura nga vërshimet vazhdon ndalesa për pirjen e ujit nga çezmat. Autoritet lokale theksuan se punimet për pastrimin e ujit vijojnë dhe do të përfundojnë së shpejti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *