Bashkësia Fetare Islame ka organizuar sot tryezën shkencore “Narkomania – Rreziku dhe Pasojat” ku u diskutua për dukurinë e narkomanisë nga profesorët dhe akademikët Dr. Mevludin Aliu, Prof. Dr. Jeton Shasivari dhe Prof. Dr. Musa Musai prej perspektivave të fushave të ndryshme shkencore.
Kjo tryezë shkencore u hap me një lexim kur’anor nga Hafizi i mirënjohur i Shkupit, Drejtori i Institutit të Hifzit “Hafiz Ismail Alijevski”, Hfz. Xhemail ef. Nuhiji.
Pas leximit të Kur’anit, koordinatori i kësaj tryeze, Prof. Jusuf ef. Zimeri – Drejtor i Sektorit Fetaro-Arsimor pranë Rijasetit të BFI-së, hapi organizimin dhe u uroi mirëseardhje mysafirëve të cilët për shkak të pandemisë ishin në numër të kufizuar.
Pas hapjes, fjalë rasti pati Kryetari i BFI në RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cilli pasi bëri një hyrje për rolin dhe rëndësinë e madhe që ka intelekti dhe sistemi fetar në jetën individuale dhe organizimin shoqëror, potencoi se “Rrugëtimi i BFI-së do jetë dija”dhe solli në fokus rëndësinë kruciale që ka dërgimi i pejgamberëve dhe shpalljeve nga Zoti në njohjen e Tij. Njeriu si krijesë, vazhdoi ai, përbëhet nga dy kompenenta, ajo shpirtërore dhe materiale, dhe zhvillimi material, sado i madh të jetë, nuk është i mjaftueshëm për një jetë të shëndoshë mentale. Pa një baraspeshë mes anës materiale dhe anës shpirtërore të njeriut, theksoi Reis Ulemaja, paraqiten shthurje dhe dukuri të panumërta negative në shoqëri, ndër më të mëdhatë edhe narkomania. Ndër të tjera, Kryetari i BFI-së theksoi se përzgjedhja e temës, siç kuptohet, nuk është e rastësishme, por është një prerogativ i problematikave me të cilat përballet shoqëria jonë myslimane në këtë nënqiell.
Pas fjalës së Reis Ulemasë, nisi trajtimi i temës së narkomanisë prej profesorit të nderuar Dr. Mevludin Aliu, rrezikut dhe pasojat e saja nga aspekti i së drejtës islame, duke sjellë kështu mendimet e dijetarëve islamë rreth qëndrimit të Islamit ndaj lëndëve narkotike dhe dënimet që nga aspekti juridik islam parashihen për kundërvajtësit.
Prof. Dr. Jeton Shasivari, ishte panelisti i dytë që trajtoi temën e narkomanisë nga aspekti ligjor, juridik laik. Profesori theksoi qartë se lëndët narkotike janë të ndaluara ligjërisht për shkak të dëmit të parevokueshëm që i shkaktojnë shëndetit të njeriut.
Panelisti i tretë, Prof. Dr. Musa Musai, analizoi temën e narkomanisë nga perspektiva psikologjike. Në trajtimin e tij, prof. Dr. Musa Musai i bëri të qarta për të pranishmit të gjitha hapat se si krijohen varësitë te njeriu ndaj lëndëve narkotike, çfarë dëmesh shkaktojnë këto lëndë në shëndetin mental dhe fizik të njeriut dhe çfarë pasojash lë përdorimi i tyre te përdoruesit.
Pas prezantimit të trajtesave të tre panelistëve u hap debati mes të pranishmëve dhe u diskutua për propozime të ndryshme si mund të ndikohet në mbrojtjen e shoqërisë nga narkomania dhe hapat që mund të ndërmerren nga Bashkësia Fetare Islame në këtë aspekt.
Pas debatit, koordinatori i tryezës shkencore thirri në nxjerrjen e konkluzave të përbashkëta nga ky organizim.
Konkluzat e shpallura nga tryeza shkencore ishin këto:
1. Kanabisi dhe të gjitha lëndët narkotike janë fetarisht të ndaluara, kanë dispozitën sheriatike haram.
2. Jo legalizimit të kanabisit apo çfarëdo lloj lënde narkotike tjetër për shkak të dëmeve të rënda shëndetësore dhe shoqërore.
3. Të merremi me preventivën më shumë se sa me shërimin që shoqëria mos t’i vuajë pasojat e varësisë nga narko-substancat. Për këtë arsye duhet angazhim serioz i të gjitha institucioneve në ruajtjen e shëndetit mendor.
4. Të respektohet e drejta ndërkombëtare e cila refuzon legalizimin e kanabisit dhe të gjitha lëndëve tjera narkotike për qëllime rekreative.
5. Bashkësia Fetare Islame të vazhdojë të luajë rol aktiv në ruajtjen e shëndetit të besimtarit në çdo aspekt, veçanërisht atë mendor.
6. Bashkësia Fetare Islame të jetë e vëmendshme dhe në rast nevoje të ngritet niveli i pjesëmarrjes dhe të ketë kyçje aktive të të gjithë hoxhallarëve në proces, marrë parasysh rëndësinë e madhe që ka si tematikë.
Në fund, koordinatori e shpalli organizimin të mbyllur dhe të pranishmit e falën kolektivisht namazin e drekës.
Ky lloj organizimi do jetë praktikë e vazhdueshme e Bashkësisë Fetare Islame për të trajtuar të gjitha temat me rëndësi jetike për komunitetin mysliman dhe shoqërinë në vendin tonë.