BDI-Gostivar, kundërshton vendosjen e Info Qendrës Turistike në sheshin e qytetit

BDI-Gostivar, kundërshton vendosjen e Info Qendrës Turistike në sheshin e qytetit

BDI e Gostivarit përmes një kumtese ka reaguar duke thënë se vendosja e Qendrës Informative Turistike në sheshin e qytetit, ka shkaktuar shqetësim të qytetarëve.

“Pasi qytetarë të shumtë po shprehin shqetësimin e tyre, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar sqaron opinionin publik që mbështet iniciativën e institucioneve të lartpërmendura si një mundësi e mirë e promovimit të Gostivarit dhe rrethinës si një destinacion turistik, por e kontestueshme mbetet lokacioni, pasi objekti është vendosur në një vend të kufizuar publik siç është sheshi i qytetit. Veprimi i tillë pa një konsultim të gjerë publik me qytetarët e Gostivarit, pasi atyre u merret e drejta për të shfrytëzuar hapësira publike që u takon, po zbeh këtë investim të rëndësishëm nga qeverisja qendrore dhe faktori ndërkombëtar. Me një veprim të tillë të pa konsultuar me qytetarët, po uzurpohet një pjesë e rëndësishme e sheshit të qytetit”,

thuhet në reagimin e BDI-së së Gostivarit. Qyteti i Gostivarit ka vende publike ideale për këtë qëllim, thuhet më tej në reagim, dhe që nuk do të cënonte hapësirën publike në sheshin e qytetit, edhe ashtu tepër të kufizuar.

“Do të ishte mirë që Info Qendra Turistike të vendoset në vend të përshtatshëm por që nuk do të pengonte lëvizjen e lirë të qytetarëve. Do të ishte ide e qëlluar që zyra të hapej në suaza të objektit të komunës, pasi edhe ashtu, objekti ndodhet vetëm disa metra nga sheshi i qytetit, ose në objektin ekzistues i cili ndodhet te shëtitorja e lumit Vardar, te ura në afërsi të gjyqit, objekt ky i cili tani më së shumti vizitohet nga qentë endacak. Me këtë veprim, objekti nuk do të ishte pengesë për qytetarët e Gostivarit dhe do të paraqiste lëvërdi financiare, pasi nuk do të bëheshin shpenzime plotësuese për mirëmbajtjen e objektit”,

shtohet në reagimin e BDI-së, nga ku theksojnë se sa i përket ekipit që do të angazhohet në Info Qendrën Turistike është mirë të angazhohen punonjësit me kontratë në administratën e komunës, të cilët, edhe ashtu janë në numër të madh dhe marrin rrogë pa ndonjë angazhim konkret. Nga ky subjekt kanë ftuar kryetarin Taravari të dislokojë këtë objekt dhe, siç theksohet, të mos arsyetoj këtë veprim të tij skandaloz për qytetin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *