Bejta takoi anëtarët e Këshillit Iniciativë për ngritjen e shtatores së Aqif Reçani

Bejta takoi anëtarët e Këshillit Iniciativë për ngritjen e shtatores së Aqif Reçani

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta priti në kabinetin e tij anëtarët e Këshillit  Iniciativë për ndërtimin e kompleksit memorial dhe shtatores së heroit kombëtar Aqif Reçani në fshatin Reçan.

Kryetari i Këshillit Iniciativë profesor, Nasir Rustemi i shoqëruar edhe nga anëtarët e tjerë: Ilir Nuhiu, Emin Kasami dhe Gazmend Ramadani, njoftuan nga afër kryetarin Nevzat Bejta për rrjedhën e punimeve të deritanishme. Rustemi theksoi se punimet e filluara në 28 Nëntor të vitit 2014 janë duke shkuar drejt finalizimit, dhe se në po të njëjtën datë të këtij viti pritet të bëhet edhe inaugurimi zyrtari.

Anëtarët e Këshillit Iniciativë drejtuan disa kërkesa deri tek kryetari i Komunës, Nevzat Bejta. Kërkuan mbështetjen e tij dhe Komunës së Gostivarit për rregullimin e kompleksit memorial ku do të vendoset shtatorja e heroit Aqif Reçani, kërkesë kjo që hasi në mbështetje të plotë.

Kryetari Nevzat Bejta autorizoi shefin e kabinetit Bashkim Hasani dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike Komunale, Memedali Xhaferi, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që kjo kërkesë të realizohet në afat sa më të shpejt.

Në cilësinë edhe të historianit, kryetari Nevzat Bejta lartësoi figurën e heroit Aqif Reçani, duke e quajtur  si një nga luftëtarët më të denjë të Ballit Kombëtar dhe kauzës kombëtare.

“Aqif Reçani mbrojti pjesëtarët e kombit që i takonte, por nuk bëri luftë qyqare. Aqif Reçani duhet ta merr pozitën e mëritur në historinë e kombit shqiptar si një luftëtar i denjë i kauzës kombëtare,  dhe ne të gjithë bashkë duhet të japin kontributin tonë”, tha kryetari Nevzat Bejta.

Anëtarët e Këshillit Iniciativë njoftuan kryetarin se në ditën e inaugurimit të kompleksit memorial, do të promovohet edhe monografia për fshatin Reçan, ndërkaq, kryetari Bejta krahas kërkesës për rregullimin e kompleksit memorial ku do të ngritët shtatorja e heroit Aqif Reçani, premtoi edhe 1.000 euro shtesë nga buxheti i tij familjar.

Kryetari Nevzat Bejta shprehu respekt për banorët dhe me theks të veçantë mërgimtarët e fshatit Reçan, por edhe qytetarët e tjerë shqiptarë që po japin kontributin e tyre të pakursyer në ngritjen e kompleksit memorial dhe shtatores së heroit Aqif Reçani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *