Bilall Kasami: “Binjakët” BDI dhe PDSH , do të përballen me opozitën e bashkuar shqiptare!

Bilall Kasami: “Binjakët” BDI dhe PDSH , do të përballen me opozitën e bashkuar shqiptare!

Një nga drejtuesit më të lartë të Lëvizjes BESA, z.Bilall Kasami në një intervistë ekskluzive për portalinDrini.mk, ka folur për situatën politike në Maqedoni, planet dhe hapat që do të ndjekë Lëvizja BESA në vijim, raportet me LR-PDSH-në të udhëhequr nga Ziadin Sela dhe partitë e tjera opozitare. “Jemi të hapur për bashkpunim me gjitha partitë shqiptare, përvec BDI-së dhe PDSH-së që janë në qeveri” shprhete i vendosur, z.Kasami në intervistën, të cilën në vijim mund ta lexoni të plotë.

Drini.mk: Lëvizja “Besa” është shumë aktive me reagime, konferenca për shtyp, komunikata dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre lidhur me zhvillimet politike në Maqedoni. A mendoni se këto “mjete” mjaftojnë për të rrënuar një qeverisje e cila ka pushtetin mbi një dekadë dhe dukshëm po përpiqet me çdo kusht për ta mbrojtur atë?!

Bilall Kasami: Lëvizja BESA është një organizatë politike që i përdor të gjitha mekanizmat politike, konform ligjeve në vend, që ta luajë rolin e opozitës, duke i bërë presion pushtetit për të gjitha dështimet që bëhen. Në këtë drejtim, përveç konferencave dhe reagimeve në opinion, ne kemi sjellë risi edhe me disa aksione simbolike që janë pranuar mirë nga opinioni dhe të cilat i shërbejnë misionit tonë për krijimin e një mendimi të ri politik në Maqedoni. Nëse në Maqedoni krijohen kushte për zgjedhje të rregullta, të drejta, korrekte, demokratike dhe pamundësohet manipulimi e keqpërdorimi i procesit zgjedhor, mendojmë se kjo do të mjaftonte që ne ta dëshmojmë veten se jemi lëvizje politike që e meriton votën e shqiptarëve të Maqedonisë. Në një vend demokratik, mendoj unë, mjaftojnë këto mjete që pushteti të kalojë në duar të atyre që e meritojnë atë ose, thënë ndryshe, t’u merret pushteti atyre që – thënë figurativisht ose jo – e kanë vjedhur atë.

Drini.mk: Tashmë pas dështimit të marrëveshjes së “Përzhinos” keni ndonjë plan konkret veprimi për të shpëtuar popullin shqiptar nga kjo situatë e cila çdo ditë e më shumë po rëndohet, apo opozita shqiptare përsëri do të lërë mbështetësit e saj të vetëvendosin dhe do të krijojë mundësinë që këtë “lojë” ta udhëheqë Zoran Zaevi?

Bilall Kasami: Ne si parti politike opozitare e bëjmë pjesën tonë të detyrës. Kështu edhe nëse dështojnë përfundimisht bisedimet, ne do ta vazhdojmë rrugën tonë. Natyrisht, duke mos qenë pjesë e tyre, nuk mund të kemi rol më aktiv, por gjithsesi se nuk do të ndalemi me mjetet që i kemi në dispozicion. Ne e kemi dhënë ofertën tonë, e kemi shtruar platformën tonë RIDEFINIMI, vazhdojmë të kemi kontakte me qytetarët sy më sy, për t’i bindur se Maqedonia është në krizë serioze, ndërsa populli shqiptar në këtë vend është bërë peng i politikanëve të kapur keq në skandale korrupsioni e skandale të tjera, me shpresë se kështu shqiptarët do të reflektojnë ndryshe. Përveç kësaj, ne ishim forca e vetme politike që doli haptazi me qëndrim për protestën e LSDM-së dhe që pastaj inicioj dhe organizoi një protestë shqiptare, që u prit shumë mirë nga shqiptarët e Maqedonisë. Dua të them se ne nuk do të heqim dorë nga përkushtimi jonë që ta bëjmë detyrën tonë, oferta jonë është e hapur, është publike dhe atë secili mund ta shohë dhe përkapë atë, ndërsa për atë se çfarë do të zgjedhë shqiptari i Maqedonisë, ky është vullnet i tij. Ne mund të shprehim keqardhje nëse për shqiptarin e Maqedonisë akoma zgjidhje jane “binjakët siamez” BDI-PDSH ose, edhe më keq, LSDM-ja, por ne gjithsesi që do ta respektojmë vullnetin e sovranit, pra të popullit shqiptar.

Drini.mk: Lëvizjen për reforma në PDSH, në të ardhmen e shihni si një alete të mundshme apo si konkurrentë, duke pasur parasysh se tashmë në opinion është krijuar bindja se bashkimi i juaj si edhe i forcave të tjera opozitare do të ishte goditja më e fuqishme ndoshta edhe vendimtare për BDI-në?

Bilall Kasami: Për Lëvizjen BESA të gjitha subjektet opozitare, përveç atyre që janë në pushtet, pra BDI-së dhe PDSH-së, në të ardhmen mund të jenë bashkëpunëtore dhe ne në asnjë moment nuk e kemi humbur shpresën se një ditë do të arrijmë ta ndërtojmë një koalicion të përbashkët që do të përballet me çiftin BDI-PDSH. Në këtë drejtim jemi duke punuar, kemi kontakte edhe me Rilindjen Demokratike Kombëtare, edhe me Lëvizjen për Reforma në PDSH, edhe me PPD-në, jemi në rrugë të mirë të ndërtimit të bashkëpunimit edhe me Demokracinë e Re dhe për neve secila forcë opozitare është e pranuar për bashkëpunim. Për këtë arsye ne e kemi iniciuar edhe Këshillin Mbipartiak, ku duke shfaqur vetëmohim, kemi bërë ftesë jo vetëm për partitë politike opozitare, por edhe për OJQ-të, për personalitetet e ndryshme, qofshin shkencëtarë, artistë, sportistë etj., pra të gjithë që janë me qëndrim opozitar, që të rreshtohen në front kundrejt ligësisë që personifikohet në partinë shqipfolëse dhe antishqiptare në pushtet. Këtu edhe një herë e theksoj se ne si BESË jemi vetëm iniciatorë dhe vetëm një zë në atë këshill, ndërsa secili që e konsideron veten opozitë e ka vendin aty.

Drini.mk: Nga LR-PDSH shpesh ju kanë fajësuar se nuk jeni të gatshëm për një marrëveshje konkrete paraprake për koalicion, ku do përcaktohej edhe mënyra e pjesëmarrjes në zgjedhje. Sipas jush cilat janë arsyet që pengojnë një bashkim të opozitës shqiptare ?

Bilall Kasami: Natyrisht se i ndjekim edhe akuzat që na bëhen dhe neve na vjen keq që disa parti dhe figura politike të opozitës shqiptare në vend që të merren me pushtetin, më shumë merren me ne, madje i përdorin portalet e partisë shqipfolëse në pushtet që ta nxijnë punën tonë. Por – duke e pasur hallin më të madh të shpëtimit të shqiptarëve nga katandia ku na ka sjellë ky përfaqësim ose, më saktë, ky mospërfaqësim – ne nuk kemi dashur fare t’u përgjigjemi. Për neve kjo kohë është shumë e vlefshme dhe ne nuk duam ta humbim që të merremi me akuza të ndërsjella mes subjekteve opozitare. Po e them me eufemizëm se në ato deklarime ka shumë pohime, vërtetësia e të cilave është e paqëndrueshme, bile edhe disa mund të kualifikohen edhe si shpifje e shpikje dashakeqe, por i vjen radha që ndonjëherë të shpjegohemi. Po e them këtu dhe duam që të kuptohet gjithkund se, që të dëshmojmë praktikisht se jemi për bashkëpunim të opozitës shqiptare, ne jemi kursyer nga çdo akuzë, madje edhe nga përgjigjet ndaj akuzave që na janë bërë nga partitë opozitare shqiptare. Dua ta ketë të qartë opinioni se nëse dikush ka punuar me vepra, pra jo vetëm me deklarata, se është pro bashkimit të opozitës shqiptare, kjo është Lëvizja BESA. Ju nuk do të gjeni as edhe një fjalë të vetëm kundër një subjekti shqiptar opozitar nga eksponentët kryesorë të BESËS, nuk do të gjeni as edhe një fjalë të vetme kundër Aleancës për Shqiptarët dhe kundër asnjë figure opozitare shqiptare. Ata që i kuptojnë mesazhet politike, e kanë të mjaftueshme këtë që ta kuptojnë se cili ka qenë dhe cili është qëndrimi i BESËS kundrejt bashkëpunimit dhe bashkimit të opozitës. Sepse nuk ka kuptim të thuash se je pro bashkimit, ndërsa të lëshosh akuza që as BDI-ja nuk i shqipton dot. Sidoqoftë, ne jemi të prirë ta vazhdojmë këtë rrugë dhe kemi shumë shpresë se edhe partitë e tjera opozitare shqiptare do të ndërgjegjësohen sa është i rëndësishëm ky moment historik, se nuk guxojmë ta çojmë kohën dëm duke u marrë me njëri-tjetrin, sepse populli shqiptar i ka varur shpresat te ne, ndërsa ne nuk duhet të bëhemi viktimë e portaleve që e duan përçarjen e opozitës, që përmes tyre të përbaltim tjetrin. Te BESA nuk ka asnjë arsye që opozita shqiptare të mos bashkëpunojë dhe këtë ua kemi thënë edhe atyre, ndërsa për format, modalitetet, programin e kështu me radhë, për të gjitha jemi të gatshëm të bashkëbisedojmë. Mjafton që edhe të tjerët ta duan këtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *