Bisedimet për prokurorin special: Kompromis apo arbitrim?

Prokuror special me kompromis, apo emër në zarf nga ndërmjetësuesit ndërkombëtare? Kjo është pyetja kryesore në prag të vazhdimit të bisedimeve mes partive politike për zgjedhjen e prokurorit special, që duhet të hetojë përgjegjësinë për përgjimin dhe indikacionet nga bisedat e përgjuara. Takimi i parë pas pauzës verore zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:00, pas dyerve të mbyllura në Klubin e Deputetëve.

Në takimin e parë informativ më 30 korrik, përfaqësuesit e partive politike kanë dëgjuar përvojat dhe propozimet e ekspertit irlandez Xhejms Hamilton, i cili ka propozuar modelin irlandez dhe atë amerikan për zgjedhjen e prokurorit. Në takimin e sotëm priten diskutime konkrete nga partitë politike jo vetëm rreth emrit të prokurorit, për edhe për mënyrën e punës, infrastrukturës ligjore, kompetencave dhe të ngjashme. Propozimi i opozitës është që puna e prokurorit special duhet doemos të rregullohet me ligj të posaçëm, ndërsa pushteti kërkon që ai të caktohet në përputhshmëri me ligjet aktuale.

Gjithashtu duhet të përcaktohen edhe kompetencat e prokurorit special ndaj procesit hetimor “Puçi”, ku i dyshuar është edhe lideri i opozitës Zoran Zaev.

Megjithatë, përplasja kryesore mes partive politike pritet të jetë për vetë emrin që duhet të emërohet për prokuror. Burime nga bisedimet thonë se gjasat janë minimale që të 4 partitë të pajtohen rreth një emri. Nëse pesimizmi realizohet, pritet që prokurori special të propozohet nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të Marrëveshjes së Përzhinos, respektivisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Grupi i punës do të takohet çdo ditë, duke diskutuar një ditë për listën zgjedhore dhe ditën tjetër për Prokurorin Special. Marrëveshja e Përzhinos parashikon që Prokurori duhet të emërohet më së voni më 15 shtator.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *