Buxheti i Maqedonisë, shqiptarët me “gishta në gojë”

Buxheti i Maqedonisë, shqiptarët me “gishta në gojë”

Përderisa në Parlamentin e Maqedonisë diskutimet për buxhetin e ri të vendit vazhdojnë mes akuzave të PDSH-së kundrejt pushtetit se diskriminon rajonet me shumicë shqiptare edhe pse janë taksapagues të rregullt, dhe mos replikimit të BDI-së, krerët e komunave shqiptare ankohen që nuk marrin mjete të mjaftueshme nga buxheti shtetëror.

Portalb ka kontaktuar me kreun e Komunës së Strugës, Ziadin Sela dhe kreun e Komunës së Likovës, Sadulla Duraku për t’u njoftuar prej së afërmi me problematikat që i hasin ata në moment kur buxheti nuk sheh projekte kapitale për këto vende me shumicë shqiptare.

“Për dy vjet na kanë marr 1 milion e 700 mijë euro. Nuk kanë sjellë asnjë investim kapital në Strugë. Dotacionet për kulturë janë zero denarë, për çështje sociale zero denar, për arsim na kanë lënë në mëshirë të fatit- paguajmë mjetet djegëse për ngrohje, energjinë elektrike nëpër shkolla e paguajmë si rrymë industriale, thua ti se kemi hapur fabrika dhe po bëjmë prodhim atje”, thekson për Portalb, Sela.

Nuk mund të kërkohet llogari dhe përgjegjësi nga njerëz të korruptuar, duke pamundësuar zgjidhjen e problemit të naftës e ngrohjes, thotë Sela.

“1 milion e 700 mijë euro që janë marr nga buxheti i Strugës janë marr për një kredi që ka marr ndërmarrja për ujësjellës. Kredi kjo që është investuar në Ohër. Ndërkaq, Ohrit çdo vjet i lëshohen minimum 3 milion euro për infrastrukturë dhe punë që janë të pushtetit lokal, të mos flas për punë tjera”, tha ai.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Likovës nuk e sheh edhe si problem të madh mospasjen e investimeve kapitale. Ai për redaksinë tonë thotë se është pjesërisht i kënaqur me buxhetin e Maqedonisë.

“Bllok dotacionet ndahen nga buxheti qendror. Për shembull në sferën e arsimit bllok dotacioni ndahet për kokë të nxënësve, për aq sa kemi nxënës ndahet edhe buxheti. Për kushtet e tona bllok dotacionet janë të bollshme, edhe pse kurrë nuk mjaftojnë mjetet për arsim”, sqaron për Portalb Duraku.

Duraku ndërkohë ka zbuluar edhe dy projekte të pushtetit qendror në komunën e tij.

“Buxheti i Maqedonisë ka paraparë dy rrugë regjionale. Njëra për hapjen e kufirit me Republikën e Kosovës, kurse tjetra rrugë regjionale që lidhë Likovën me Haraçinën- një pjesë e kësaj rruge është kryer është në përfundim e sipër. Disa mjete janë të parapara edhe për ujësjellësin. Kështu që pjesërisht jam i kënaqur, por jo edhe tepër i kënaqur”, përfundon Duraku.

Ndërkohë, ministri maqedonas i Financave, Zoran Stavrevski ka pranuar vetëm një nga gjithsej 175 amendamente të propozuara nga deputetët e PDSH-së, të cilët kërkonin më shumë projekte për zonat shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *