Çegrani dhe Forina formojnë komision për faturat e energjisë elektrike, nesër takohen me drejtuesit e EVN në Gostivar

Çegrani dhe Forina formojnë komision për faturat e energjisë elektrike, nesër takohen me drejtuesit e EVN në Gostivar

Sabri Baftjari nga fshati Çegran, i cili ditën e hënë akuzoi EVN-në se ngarkon banorët me detyrim monetar më të madh nga e rryma e harxhuar, konkretisht mërgimtarët, për ditën e nesërme ka paralajmëuar takim me drejtorin e filialit të EVN-së në Gostivar me fillim në ora 11. Për këtë takim, njoftoi ai, është ngritur edhe një Komision nga banorët e Çegranit dhe Forinës.

Baftjari ka ftuar të gjithë qytetarët që mendojnë se ju vijnë fatura jo reale nga EVN, të bëhen pjesmarrës në këtë takim. Ai njofton se pas denoncimit të rastit të tij në TV GLOBI, ekipet e EVN-së kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar atë që ai e tha publikisht.

“Edhe mbas prononcimit të djeshëm në media, me kerkesë ndaj EVN-së për verifikim 24 orësh për harxhim rryme në shtëpi të mbyllur pa qenë prezent familjarët, u verifikua se janë harxhuar 7 kw rrymë, gjë që dëshmon për matjen jo reale. Apelojmë deri te çdo një banor i Çegranit dhe më gjërë që të jeni pjësmarrës para EVN-së, nesër e ENJTE në 20.02.2020 ora 11 dhe te sillni fakte për fatura jo reale. Në takimin me drejtorin e EVN-së do të jenë komisioni nga Çegrani dhe Forina”,

njofton përmes një shkrimi në rrjetet sociale Baftjari. Mbi rastin e Baftjarit reagim pati edhe nga EVN. Nga aty thonin se për EVN Maqedoni të gjithë konsumatorët janë të njejtë dhe të gjithë pranojnë shërbim dhe trajtim të barabartë. Në përputhje me këtë janë krijuar kanale komunikimi dhe janë hapur zyra që konsumatorët të mund t’i marrin të gjitha informacionet e nevojshme.

“Elektrodistribuimi asnjëherë nuk do të ngarkojë detyrim monetar më të madh nga ajo që konsumatori ka harxhuar. Në rastin konkret, nuk ka ekzistuar mundësi që njehsori i konsumatorit të lexohet, prandaj në faturë janë shënuar vlera të supozuara në pajtim me dinamikën e konsumit të konsumatorit gjatë vitit. Më vonë kjo mund të korrigjohet me anë të leximit të fundit”,

thuhej në reagimin e EVN-së. Kjo kompani ka ftuar konsumatorët nëse vërejnë që kanë pranuar faturë në të cilën ka më shumë ose më pak kWh nga ajo që deri në atë moment ka harxhuar, duhet të drejtohet deri te zyrat e pranimit të EVN pranë Qendrës Energo të Konsumatorëve, të lajmërohet në Qendrën për Marrëdhënie me Konsumatorët ose të paraqesë gjendjen nëpërmjet postës elektronike të kompanisë.

Ndryshe, Sabri Baftiari – banor i Çegranit, të hënë tha se një familjari të tij nga Forina, EVN për muajin që lamë pas, i ka dërguar faturë me mbi 300 euro, edhe pse familjari i tij i cili me punë të përkohshme ndodhet në Zvicër, aspak sivjet nuk ka qenë në shtëpi gjatë pushimit dimëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *