Çerdhet e Gostivarit filluan me punë

Çerdhet e Gostivarit filluan me punë

Nga 117 fëmijët e paraqitur sot në çerdhet e Gostivarit, të cilat rifillojnë me punë pas qendrimit gjashtë mujor mbyllur, vetëm njëri ka pasur temperaturë mbi 37 gradë Celsius. Fëmija menjëherë është kthyer në shtëpi. Institucioni ka konstatuar temperaturën, pasi çdo fëmiju, prindëri dhe punonjësi të çerdheve para hyrjes në institucion i është bërë matja e temperaturës. Arbena Aliu, zv.drejtoreshë e çerdheve të Gostivarit, sqaron më tej se

“Sot kemi filluar ashtu siç edhe ishte paralajmërua nga ana jonë dhe ministria. Kemi filluar me punë me të gjitha masat e parapara, dhe jemi falenderues që edhe prindërit i respektonin protokollin duke filluar me mbajtjen e distancës, gjatë pranimit, fëmijëve u mateshte temperatura, pastaj u dezinfektoheshin duart nga ana e personelit dhe fëmijët me temperaturë mbi 37 gradë menjëherë janë kthyer në shtëpi. Nga fëmijët që sot u paraqitën në çerdhe vetëm njëri prej tyre kishte temperaturë. Ai kishte temperaturë 37.3 dhe menjëherë u kthye në shtëpi”, deklaroi zv.drejtoresha Arbena Aliu.

Institucioni i çerdheve për fëmijë në Gostivar ka pritur sot të paraqiten mbi 200 fëmijë, megjithatë një pjesë e tyre nuk janë dërguar nga prindërit, thotë Aliu, e cila sqaron se kapaciteti i tyre me masat e reja për mbrojtje nga pandemia është mbi 330 fëmijë.

“Numrin e përgjithshëm që ne sot prisnim, ishte 221 fëmijë. Sipas protokolleve duhet të kemi 335, por me vërtetime të paraqitur kishim vetëm 221, por sot në të gjitha objektet kemi vetëm 117 fëmijë prezent”, deklaron më tej Aliu.

Qëndrimi i fëmijëve duhet të organizohet në mënyrën në të cilën do të shmanget kontakti i ndërsjellë i grupeve të ndryshme edukuese, të akomoduar në hapësira të veçanta sipas mundësive, ndërsa lojërat rekomandohet të organizohen sa më shumë që është e mundur në vend të hapur kur moti e lejon atë dhe në grupe më të vogla.

“Ne garantojmë mbrojtje maksimale për fëmijët dhe bara më e madhe duket se do të jetë e edukatoreve të cilat e japin maksimumin e tyre. Edhe gjatë ushqimit tavolinat u vendosën me distancë prej 1.5 metra. Por, vështirësia mbetet te mësimi i fëmijëve të rinë larg njëri-tjetrit, pasi e dini se te ne deri më tani ka qenë e kundërta, fëmijët është dashur të rinë dhe luajnë bashkë”, thotë më tej Aliu.

Ndryshe, në çerdhe pranohen vetëm fëmijët të cilëve u punojnë të dy prindërit ose fëmijët me një prind.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *