Çmimet e larta i lënë qytetarët pa turshi

Çmimet e larta i lënë qytetarët pa turshi

Sezona e përgatitjes dimërore ka filluar. Nëpër tregjet e vendit më së shumti kërkohen specat e kuq dhe domatet. Blerësit nuk janë të kënaqur nga çmimet, ndërsa shitësit nuk janë të kënaqur me blerësit.

Krahas shtrenjtimit të perimeve të nevojshme për përgatitjen e turshive dimërore, vite me radhë shënohet edhe ulja e fuqisë blerëse të qytetarëve, andaj edhe qytetarët përgatisin ajvar apo turshi tjetër në varësi prej mundësive financiare, por edhe duke ruajtur traditën e vjetër. Njëkohësisht, edhe ndryshimi i mënyrës së jetesës, migrimi dhe ulja graduale e numrit të familjarëve që jetojnë në bashkësi orienton një pjesë të amvisave që të blejnë edhe ajvarin dhe turshitë e përgatitur në kapacitetet industriale.

Konsumatorët e tjerë thonë se përkundër çmimeve të larta, megjithatë do të përgatisin turshi për sezonin e dimrit. Fajin për çmimet e larta ia lënë mosinteresimit për të punuar tokat bujqësore.

Në ndërkohë, përllogaritjet tregojnë se në mesatare blihen 50 kilogram speca për të cilat nevojitet së paku 1500 denarë, nëse kësaj i shtohen edhe afër 300 denarë për domatet e zeza, pesë litra vaj për të cilat nevojitet 300 denarë, si dhe harxhimi i drurit apo rrymës prej disa qindra denarë, del se për përgatitjen e 28 – 30 kavanozave të ajvarit nevojiten së paku 2400 denarë. Këtu nuk e kemi llogaritur kohën, por edhe mundin e familjarëve që janë të angazhuar për përgatitjen e turshive. Nga ana tjetër, në shitoret e ndryshme ofrohet ajvar industrial me çmime që në mesatare kushtojnë prej 100 deri në 180 denarë për një kavanoz, që do të thotë se shpaguhet përgatitja e ajvarit në shtëpi, nëse keni kushte minimale për të pjekur dhe pastruar specat, vendin ku do të zieni atë e kështu me radhë. Shtrenjtimi më i madh sivjet në raport me vitin e kaluar është shënuar tek feferonat me 50 për qind, karotat me 30 për qind, specat e kuqe me 20 për qind dhe trangujt me 37 për qind. Më pak janë shtrenjtuar lakra dhe specat e buta. Gjithashtu, më shtrenjtë gjatë këtij muaji i paguajmë edhe pemët. Çmime më të larta ka te të gjitha llojet e mollëve që nuk shiten nën 40 denarë dhe dardhave që arrijnë 60 denarë, ndërsa dukshëm është rritur edhe çmimi i rrushit që tani kushton së paku 50 denarë për kilogram.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *