“Dava”, kuzhina që ushqen qindra skamnorë në ditë

“Dava”, kuzhina që ushqen qindra skamnorë në ditë

Kjo kuzhinë ka 2 vjet që kur ka nisur këtë mision dhe nuk i ka mbyllur dyert e saja asnjëherë. Kjo falë donatorëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë. Musa Husein, udhëheqës i kësaj kuzhine, ka thënë për televizionin Globi, se këtu mesatarisht në ditë marrin nga një racion ushqimor afërsisht 300 persona, por kohëve të fundit ky numër ka shënuar rritje te theksuar.

“Kuzhina jonë në i ka mbushur dy vjet. Kemi nisur në vitin e parë me 150 persona, ndërsa sot i kemi 250; ofrojmë ushqim falas për rreth 50 familje. Ata që munden të përgatisin ushqimin në shtëpi u dërgojmë materiale ushqimore, ndërsa më të moshuarve, njerëzve me probleme shëndetësore ua përgatisim ne dhe për çdo ditë ua dërgojmë në shtëpi”, thotë ai.

Në ketë kuzhinë humanitare zakonisht ushqehen persona të varfër, të moshuar të cilët ose kanë ngelur të vetmuar në shtëpi, apo pension të pleqërisë. Por nuk mungojnë as varfanjaket të tjerë të qytetit, por ka edhe asi që këtu vijnë edhe nga mjediset rurale. Aty shihen pleq e të rinj, të cilët vijnë e marrin ushqimin e përgatitur nga kuzhinierë “me përvojë”. Një xhaxha që e takuam aty na tha se në këtë kuzhinë ushqehet qe afërsisht 2 vjet. Thotë se është jetike për të, ngase nuk ka asnjë mundësi tjetër për tu ushqyer, pasi gruaja i ka vdekur dhe jeton i vetëm.

“Gati dy vjet marr ushqim dhe gjërat tjera. Pa Davën vdesim urie. Jam i vetëm në shtëpi. Gruaja më ka vdekur. Jam shumë shumë i kënaqur. Shërbimi në këtë kuzhinë është shumë i mirë”, thotë xhaxhai, derisa po mbante në dorë enën me ushqim të ngrohtë të marrë në këtë kuzhinë.

Shoqata dhe kuzhina humanitare “Dava” nevojtarëve iu ndihmon edhe me gjëra tjera, si veshmbathje, gjëra tjera ushqimore, higjienike dhe sanitare. Që nga themelimi i saj në vitin 2019 nuk e ka mbyllur derën e saj qoftë edhe njëherë, por ka vazhduar “misionin” për t’iu dalë në ndihmë familjeve skamnore të qytetit dhe vendbanimeve përreth.

“Falë Zotit dhe bamirësve deri më sot nuk kemi pasur asnjë ditë frikën se po rrezikohet kuzhina të mos funksionojë. Sot bazat tona sidomos të donacioneve për kuzhinë janë në qytetin tonë. Janë njerëzit e vullnetit të mirë dhe bizneset që na rrinë afër vetëm që kuzhina të funksionojë çdo ditë, thotë Husein, duke bërë apel tek të gjithë njerëzit vullnetmirë që të ”kthejnë kokën” nga kjo shtresë e shoqërisë.

Ai nuk heziton të falenderojë të gjithë donatorët, pa të cilët thotë se nuk do të mund ta kryenin këtë punë kaq të vlefshme.

Shoqata dhe kuzhina humanitare “Dava” është themeluar në vitin 2019 dhe përveç kuzhinës ushtron edhe aktivitete tjera humanitare. Ndërtimi i shtëpive, ndihma mujore financiare për jetimë, janë aktivitet e tjera që Musa me shokë kanë në programin e tyre ditor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *