Dhurimi i gjakut gjatë pandemisë, qytetarët i përgjigjen pozitivisht ftesës së Kryqit Kuq në Gostivar

Dhurimi i gjakut gjatë pandemisë, qytetarët i përgjigjen pozitivisht ftesës së Kryqit Kuq në Gostivar

Kryqi i Kuq i Gostivarit, ka bërë me dije se në Gostivar ka mungesë të gjakut dhe se krejt kjo ka ardhur si pasojë e pandemisë Covid-19. E pas këtij njoftimi, shumë qytetarë ia kanë mësyrë objektit të Transfuzion të Gjakut për të dhuruar gjak. Burhan Klinçe nga Kryqi i Kuq i Gostivarit , ka thënë për televizionin Globi se në këtë kohë të pandemisë ka pasur mungesë të gjakut andaj nëpërmjet pesë aksioneve të jashtëzakonshme të organizuara nga fillimi i pandemisë janë munduar që sadopak tu dalin në ndihmë institucioneve shëndetësore të vendit.

“Duhet të kemi dhurim të vazhdueshëm të gjakut, sepse gjaku nuk mund të qëndrojë përjetësisht, edhe përkundër rezervave të gjakut të cilën e kemi pasur në dispozicion, ajo është harxhuar dhe kemi mbërritur në fazën kur kemi arrit në gjendjen e stokut jashtëzakonisht të ulët dhe në gjendje kritike dhe për këtë arsye kemi bërë apel për të dhuruar gjak”, ka thënë Klinçe.

Klinçe ka bërë të ditur se ka rënë interesimi i qytetarëve për të dhuruar gjak sidomos tani kur vendi është kapluar nga pandemia por ai u ka bërë thirje qytetarëve të mos hezitojnë për të dhuruar gjak, sepse qendrat për dhurimin e gjakut janë ambiente të sigurta, ku dhuruesit kontrollohen për t’u siguruar se janë të shëndetshëm dhe nuk janë të ekspozuar ndaj virusit.

Ftesës për dhurimin e gjakut i është përgjigjur pozitivisht edhe Jane Pejovski. Ai ka thënë se me dhurimin e gjakut, njeriu ndihet mirë shpirtërisht dhe organikisht.

“Është hera e shtatë që jap gjak dhe i apeloj çdokujt që mundet të dal e të jap gjak. Kjo është një mënyrë për ta ndihmuar njëri – tjetrin”, tha Pejovski

Sëmundja COVID-19, që shpërtheu në dhjetor të vitit 2019 në Kinë dhe u përhap në tërë globin, shkaktoi mbylljen e shumë bizneseve, shkollave dhe izolimin e njerëzve nëpër shtëpi. Pavarësisht kësaj, spitalet mbetën të hapura dhe funksionale, me përkushtim edhe më intensiv ndaj pacientëve. Rrjedhimisht, kjo ka bërë që edhe dhurimi i gjakut të jetë i domosdoshëm për pacientët e ndryshëm, por edhe për ata të prekur me COVID-19. Nga Kryqi i Kuq i Gostivarit dhe Njësia për Transfuziologji presin që aksioni i sotëm të mbyllet me sukses dhe deri në fund të ditës të grumbullohen rreth 20 njësi gjaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *