Dita Botërore e Shëndetësisë/ Mjekët e Gostivarit: Të kujdesemi bashkarisht që sa më shpejtë  të dalim nga situata me pandeminë

Dita Botërore e Shëndetësisë/ Mjekët e Gostivarit: Të kujdesemi bashkarisht që sa më shpejtë të dalim nga situata me pandeminë

Në Ditën Botërore të Shëndetit, mantel-bardhët nga Spitali dhe Shtëpia e Shëndetit në Gostivar, apelojnë qytetarët që të kujdesen për shëndetin me qëllim që sa më parë të dalim nga vështirësitë e shkaktuara nga pandemia. Ata thonë se edhe përskaj lodhjes dhe vështirësive me të cilat janë ballafaquar, do të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës duke shërbyer çdo pacientë që do të ketë nevojë për trajtim shëndetësor. Infektivi ka qenë reparti i cili nga dita e parë e pandemisë ka punuar nën presionin më të madh. Aty janë trajtuar me qindra pacientë të prekur nga Covid 19. Shefi i këtij reparti, Ratko Naumoski siguron se personeli shëndetësorë do të vazhdojë të jetë 24 orë në shërbim të qytetarëve.

“Ne çdo vit ditën e sotme e shënojmë si Dita Botërore e Shëndetësisë dhe krenohmei me këtë ditë. Por, këto dy vitet e fundit kur bie kjo datë, ne kemi qenë me pandeminë dhe as që kemi pasur kohë të mendojmë për këtë ditë. Kemi përjetuar vërtetë momente të vështira dhe jo vetëm ne në qytetit tonë, por i gjithë shteti dhe e gjithë bota. Në këtë ditë dëshira ime do të ishte të zhduket pandemia dhe asgjë tjetër që të mund të vazhdojmë të jetojmë jetë normale”, deklaron Ratko Naumovski, Shef i Repartit Infektiv pranë Spitalit të Gostivarit.

Sehabe Osmani, infermiere në Repartin e Vaksinimit pranë Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar, e cila është në ekipin i cili meret me imunizimin e popullatës në Gostivar kundër koronavirusit, thotë se vështirësit me të cilat janë ballafaquar kanë qenë të mëdha. Shpreson vitin e ardhshëm Dita Botërore e Shëndetësisë njerëzimin ta gjejë të kthyer në normalitet.

“Kemi pasur vështirësi pasi kemi qenë të kufizuar, jemi të gjithë të mbyllur. Nga ana tjetër edhe popullata është e tensionuar pasi pandemia me Covid 19 ka bërë punën e vet. S’kemi qenë si vitet e kaluar pasi nuk kemi punuar lirshëm. Por, pavarësisht vështirësive ne do vazhdojmë të punojmë dhe shpresojmë se do ja dalim sidomos tani kur jemi duke u vaksinuar dhe të vazhdojmë të jetojmë të lirë siç ishim më parë”, deklaron Sehabe Osmani, infermiere në Repartin e Vaksinimit pranë Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar.

Nga fillimi i pandemisë në Gostivar ka pasur disa mjekë dhe motra të infektuara nga koronavirusi, prej të cilëve fatkeqësisht një mjek nuk arriti t’i mbijetojë virusit vdekjeprurës. Numri i qytetarëve të cilët humbën jetën nga Covid 19 ka shkuar mbi 200.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *