Dyndja e refugjatëve drejt Europës, 351 mijë të ardhur në 2015-n

Dyndja e refugjatëve drejt Europës, 351 mijë të ardhur në 2015-n

Muajt e fundit kanë qenë të mbushur me tragjedi refugjatesh, të cilat pasonin njëra-tjetrën. Por bilanci i të ardhurve që kanë zbarkuar në Europë, si edhe viktimave që nuk e arritën dot kontinentin, aq shumë të dëshiruar, vazhdon të mos jetë i qartë.

Kjo, pasi autoritetet e shteteve të unionit nuk kanë hartuar një listë të përbashkët, e cila do të shërbente për të zbardhur  numrin e vërtetë të refugjatëve.

Ndaj organizata e pavarur “Missing Migrants”, që kërkon  t’i vijë në ndihmë kësaj kauze, ka hartuar një bilanc të çështjes aq shumë të përfolur muajt e fundit.

Vetëm në vitin 2015 në Europë kanë zbarkuar 351 mijë e 314 refugjatë, ku muajt me dendësi më të lartë të ardhurish,  kane qenë shkurti, prilli dhe gushti. Ndërsa, sipas “Missing Migrants”, numri i refugjatëve që kanë humbur jetën në këtë valë nga date 1 janar deri ne 31 gusht 2015, është 3 mijë e 620 persona.

Destinacionet më të afërta për personat e larguar nga Lindja e Mesme janë Italia, Malta, Greqia dhe Spanja.

Ditën e martë, shefi i misionit të refugjatëve për Italinë, raportoi për vdekje të tjera nga ujërat e Libisë. Flitet për 400 refugjatë, të cilët ishin nisur drejt Europës, ku vetëm 100 prej tyre janë shpëtuar.

Ndonëse operacionet për shpëtimin e tyre vijojnë, lufta për emigrimin ilegal mbetet një sfidë për autoritetet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *