Dyndje sirianësh në ishujt grekë, trageti shpëton 61 refugjatë në det

Dyndje sirianësh në ishujt grekë, trageti shpëton 61 refugjatë në det

Mbi 30 mijë emigrantë ndodhen në ishullin grek të Mitilinit (Mytilene), në pritje për të gjetur një anije që do t’i dërgojë në Greqinë kontinentale. Lajmi bëhet publik prej kryetarit të Bashkisë së ishullit, i cili apeloi për ndihmë.

Shërbimi social në ishull nuk ka më mundësi të ndihmojë emigrantët, ndaj dhe ka qenë një repart i ushtrisë që është ngarkuar me furnizimin dhe shpërndarjen e ushqimeve për ta.

Emigrantët tashmë janë përhapur në tëe gjithë ishullin, duke u kthyer në problem serioz për funksionimin normal të jetës atje. Mijëra turistë e kanë të pamundur të vazhdojnë pushimet në ishull.

Në të gjitha resortet turistike janë bërë anulime masive prej operatorëve turistikë, deri në përfundimin e krizës humanitare që po përjetojnë mijëra emigrantët që ndodhen në ishull, thanë autoritetet lokale.

Situata e krijuar, tashmë po kërcënon edhe mbijetesën e vendasve, burimi i vetëm i të cilëve janë të ardhurat nga turizmi.

Në zonë ndodhen edhe forca të shumta të “Frontex”, policisë ndërkufitare të Bashkimit Europian, të cilët nuk mund të bëjnë asgjë për të pakësuar fluksin e emigrantëve, që po shtohen çdo ditë e më shumë, të inkurajuar edhe prej lajmeve se Gjermania do të presë rreth 800 mijë emigrantë sirianë.

Burime policore thanë se, çdo orë që kalon mund të jetë fillimi i një revolte në ishull, pasi frika e mbylljes së kufirit austriak gjatë ditëve të ardhshme mund t’iu ndalë atyre ëndrrën europiane dhe t’i detyrojë të qëndrojnë në Greqi, një vend ky që po kalon vështirësi të mëdha ekonomike, e ku mundësia për një jetë më të mirë mund të jetë një ëndërr e largët për mijëra sirianët e dyndur në ishujt grekë.

Autoritetet greke thonë se qindra e mijëra emigrantë të tjerë ndodhen në territorin turk, gati për të kaluar në tokën greke, çfarë duket se do ta rëndojë edhe më shumë situatën.

Komisioneri europian për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos premtoi një sërë masash mbështetëse për Greqinë, por fondet vlerësohen se janë të pakta për të përballuar fluksin gjithnjë e në rritje të emigrantëve, që mbërrijnë në Greqi.

Emigrantët tentojnë të kalojnë në tokën greke me çdo mjet të mundshëm, madje duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Një tjetër tragjedi është shmangur këtë të martë, pak milje larg ishullit të Mitilinit.

Një varkë e vjetër, që po transportonte 61 emigrantë është përmbysur pak milje nga bregu dhe ndodhja e rastësishme e një trageti udhëtarësh në vendngjarje bëri të mundur shpëtimin e tyre.

Në pamjet ekskluzive të operatorit të Top Channel në Greqi, Ilia Poçi, duket momenti i shpëtimit të emigrantëve prej marinarëve të anijes greke dhe të Rojes Bregdetare që mbërriti në zonë brenda pak minutash.

Midis tyre ndodheshin gra dhe fëmijë, të cilëve iu ofrua edhe ndihma e parë në bordin e anijes së udhëtarëve, e më vonë u dërguan në spitalin e ishullit, ku edhe u ekzaminuan prej mjekëve. / TCH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *