Festa e 7 Marsit, Komuna e Gostivarit nderon mësidhënësit shqiptarë në pension

Festa e 7 Marsit, Komuna e Gostivarit nderon mësidhënësit shqiptarë në pension

Në prag të 7 Marsit – Ditës së mësuesit, shkolla fillore “Ismail Qemali”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit organizuan një program modest e që u dedikohej gjithë mësimdhënësve të pensionuar ndër vite. Programi që u hap nga kori i shkollës u shfaq në formë të reduktuar për shkak të pandemisë.

I pranishëm në këtë organizim, kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari tha se ideja ka qenë që festa e 7 Marsit të shënohet me një drekë solemne sikurse viteve tjera, por për shkak të koronavirusit kjo gjë është anuluar. Ai falenderoi mësimdhënësit e pensionuar për kontributin e tyre duke uruar që vitin e ardhshëm festa t’i gjejë shëndoshë e mirë.

“Ndjehem i privilegjuar që sot për ditën e 7 Marsit të jem në mesin tuaj. Unë kam mësuar në këtë shkollë dhe shumicën prej jush e njoh dhe e di se me sa përkushtim e dedikim keni punuar në drejtim të zhvillimit të arsimit në komunën tonë, sidomos në këtë shkollë e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër shkollat më të mira. Shumica e fëmijëve kur fillojnë shkollimin, shembill i kanë mësuesit dhe duan të jenë mësimdhënës kur të rriten. Kështu ka qenë edhe me ne, dhe nëse ka pasur profesion të parë që e kemi dashur, ka qenë të jemi mësues. Viteve të kaluara kishim mundësitë të ulemi diku dhe të kalojmë 4 – 5 orë bashkë, por sivjet fatkeqësish këtë nuk na lejon pandemia. Uroj tradita të vazhdojë vitin e ardhshëm”, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemali”, Shpresa Useini duke folur për rolin që ka mësimdhënësi në shoqëri, tha se ai është burim dhe udhërrëfyes jete.

“Të nderuar kolegë e mësimdhënës tanë të pranishëm, gëzuar 7 Marsin i cili na përkujton vitin 1887 kur në Korçë nën drejtimin e Pandeli Sotirit u hap Mësonjëtora e parë kombëtare shqipëtare. Mësimdhënia është art dhe të tillë e bëjnë vetëm mësuesi ose mësuesja. Fjalët nuk arrijnë t’i shprehin ndjenia e mirënjohje sonë ndaj jush. Në këtë ditë ne ju ndërojmë juve për kontributin e madh që keni dhënë ndër vite. Mësimdhënia është profesion që krijon të gjitha profesionet e tjera, i ruajmë me nostalgji mendime dhe këshillat e juaja që u bënë udhërëfyes për rrugën tonë në të ardhmen. Ua dedikojmë suksesin tonë juve të nderuar. Dua ta them në fund një thënie: “Mësuesit e meritojnë rrogën e ministrit, imunitetin e diplomatit dhe autoritetin e perandorit”, deklaroi Shpresa Useini, drejtoreshë e shkollës fillore “Ismail Qemali”.

Janë 31 mësimdhënës pranë kësaj shkolle që sot gëzojnë ditët e pensionit dhe për të gjithë ata Komuna e Gostivarit ndau nga një dhuratë simbolike, ndërsa u shtrua edhe një drekë solemne në hapësirat e shkollës të cilën e kishte përgatitur enkas për këtë manifestim“Sach Coffe”. Ndryshe, një delegacion nga Komuna e Gostivarit me rastin e 7 Marsit do të vizitojë edhe shkollat e tjera të qytetit ku poashtu për mësimdhënësit e pensionuar do të shpërndahen mirënjohje e dhurata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *