Filloi sezoni i turshive Stina e vjeshtës është sezoni që përveç tjerash bëhet edhe përgatitja tradicionale e turshive. Varësisht nga dëshira dhe mundësia qytetarët përgatisin shumë lloje të turshive duke filluar që nga konservimi i specave, lakrave, kastravecëve, domateve, patëllxhanëve e gjer te zierja e ajvarit.
Tv Globi vizitoi tregun e qytetit për të parë çmimet momentale dhe aq sa mund të vërehet ato janë relevante varësisht nga produktet dhe cilësia e tyre. Një kilogram speca të kuq të klasit të parë kushton afërsisht 40 denarë, një kilogram karrota kushton prej 20-30 denarë, domatja prej 20-30 denarë për kilogram, lakra 20-25, ndërkaq një patëllxhan kushton 10 denarë.
Tregu ishte i stërmbushur me produkte dhe me vizitorë e që për këta të fundit sinjalizonte se ka arrdhur koha për tu përgatitur për stinën e ftohtë. Megjithatë, qytetarët edhe pse shprehen se çmimet janë relativisht të mira, thonë se s’ka para.
Krahasur edhe me vitin e kaluar çmimet nuk kanë lëvizur, por, sërish qytetarët kërkojnë ulje të çmimit. Sot ata i vendosin në të njejtën peshore mishin me turshitë.
Çdo shitës gati thotë të njëjtën gjë: “Qytetarët interesohen, por nuk kanë para për të blerë dhe largohen pa mos marrë asgjë”.
Shitësit ngelen me shpresë që interesimi i blerësve të rritet gjatë ditëve në vijim, njejtë sikur blersit që presin në rënien e çmimeve. / TV GLOBI