Fillon aksioni për grumbullimin e pajisjeve teknologjike për nxënësit e Gostivarit

Fillon aksioni për grumbullimin e pajisjeve teknologjike për nxënësit e Gostivarit

Nga dita e sotme në hapësirat e Komunës së Gostivarit filloi mbledhja e pajisjeve nga qytetarë të cilët dëshirojnë të dhurojnë pajisje teknologjike për fëmijët të cilët për shkaqe ekonomike nuk kanë mundësi të ndjekin procesin mësimor nga largësia, i cili u imponua për shkak të pandemisë nga koronavirusi. Gazetari Lulzim Haziri ishte i pari që dhuroi paisje, ndërsa Komuna e Gostivarit dhe kryetari Arben Taravari e filluan këtë fushatë ditë më parë. Pjesë e këtij aksioni është bërë edhe Asociacioni i të Rinjëve të Organizuar (OYA) nga Gostivari.

“Të dashur bashkëqytetarë, të dashur prindër dhe ju mërgimtarë dhe kompani, duke e ditur që fëmijët janë arma jonë më e fuqishme dhe më e ndjeshme njëkohësisht, ju bëjmë thirrje që t’i bashkangjiteni kësaj iniciative që ka për qëllim sigurimin e një pajisjeje për secilën familje dhe fëmijë të prekur nga kjo dukuri. Nëqoftëse në raftet e shtëpisë keni një telefon, llaptop tepër, dhurojeni. Sipas dëshirës dononi me aq sa keni mundësi. Le të mos lejojmë që kjo situatë të ndikojë edhe më shumë në zhvillimin e fëmijëve tanë. Ato janë ardhmëria jonë, ardhmëria e këtij vendi. Jemi të bindur që një ditë, ndihma juaj, do të bëj të krenoheni me arritjet e tyre. Jini pjesë e suksesit të fëmijëve që tani kanë më së shumti se kurrë nevojë për ndihmën tuaj”, ishte thirrja e kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Vlora Demiri nga Asociacioni i të Rinjëve të Organizuar nga Gostivari, tha se në Gostivar mendohet të ketë mbi 800 nxënës që nuk posedojnë pajisjet e nevojshme për të ndjekur mësimin nga distance.

Pajisjet, mund të dërgohen deri të еnjten në ora 14:00 në hapësirat e Komunës së Gostivarit.

Ndryshe, periudhën e kaluar edhe disa kompani dhe idividë nga Gostivari dhuruan pajisje të tilla, nga të cilat donacione deri më tani janë grumbulluar 74 pajisje teknologjike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *