Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer ka mbajtur paraditen e së enjtes fjalimin e pritur në Parlamentin e Kosovës, ku nuk ka munguar prania e opozitës.
Në fjalën e tij, Fischer ka bërë thirrje për paqe dhe respektim të institucionit të Kuvendit dhe shtetit ligjor.
Nga ana e tyre, deputetët e opozitës, ndonëse nuk kanë përdorur gaz lotësjellës nuk kanë qëndruar duarkryq. Sapo presidenti austriak ka nisur fjalimin, ata kanë shpalosur parulla në gjuhën angleze, në të cilat thuhej:
“Mjaft me heshtjen ndaj hegjemonisë serbe në Kosovë” dhe “Ruani shpinën, zoti president. Gënjeshtarë dhe të korruptuar janë ulur pas jush”.
Nga ana e tij, Fischer nuk i ka komentuar parullat, por ka sjellë shembuj të shumë viteve më parë në Austri, kur subjektet politike në pushtet dhe ato në opozitë e çuan vendin në gjakderdhje, por më vonë mësuan të qeverisnin së bashku.