Gjermania ulë vlerësimin për marrëdhëniet me Maqedoninë!

Gjermania ulë vlerësimin për marrëdhëniet me Maqedoninë!

Gjermania e ka ulur vlerësimin e marrëdhënieve dypalëshe me Maqedoni. Sipas Dojçe Veles nëse më herët në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë marrëdhëniet politike me Maqedoninë përshkruheshin “me cilësi jashtëzakonisht të mirë”, ato kanë marrë një formulim të ri. Marrëdhëniet midis dy vendeve tani cilësohen si të “të mjaftueshme”. Edhe përkundër kërkesës së gazetarëve, nuk është dhënë një shpjegim zyrtar për këtë ndryshim të Berlinit zyrtar. Sipas ish- ambasadorëve Nikolla Dimitrov dhe Goran Rafajllovski, formulimi i ri është kritikë e drejtpërdrejtë për mungesën e demokracisë në Maqedoni.

“Në diplomaci ka tradhti të ndryshme, por në parim marrëdhëniet diplomatike definohen me një dozë të madhe të kujdesit dhe të brishtësisë. Ky vlerësim tregon për një lloj “pakënaqësi”. Tregon se ka hapësirë të madhe për përparim. Kjo në sistemin tonë arsimor të vlerësimit do të ishte me notën 2, mjaftueshëm.”, tha Nikolla Dimitrov, ish ambasador dhe ndërmjetësues për emrin.

“Kjo është shumë fyese, më mirë të kishin shkruar se marrëdhëniet nuk janë të mira. Kjo, “ de facto” e konfirmon perceptimin për Maqedoninë si vend i cili nuk ka asnjëfarë rëndësie dhe është mirë vetëm të mos ketë trazira.”, thotë Rafajllovski.

Në faqen e internetit të Ministrisë Jashtme gjermane nuk mund të gjendet ndonjë shkallë e vlerësimit të marrëdhënieve diplomatike. Megjithatë për raportet me secilin vend ka komente të shkurtra. Për Serbinë dhe Greqinë nuk ka vlerësim të drejtpërdrejtë, siç është rasti me Maqedoninë, por ka vetëm koment përshkrues. Për vendet e tjera fqinje, në vlerësim thuhet:

Për marrëdhëniet me Kosovën: “Të mira dhe me përfshirje të gjerë”

Për marrëdhëniet me Bullgarinë: “Raporte të ngushta”

Për marrëdhëniet me Shqipërinë: “Të afërta dhe që karakterizohen me frymën e partneritetit”

Uljen e vlerësimit për marrëdhëniet me Maqedoninë, diplomacia gjermane e ka bërë në qershor të këtij viti. Nga ana tjetër, në fillim të muajit korrik kancelaria gjermane Angela Merkel, vizitoi Ballkanin. Prej vendeve të cilat nuk janë anëtare të BE-së , ajo anashkaloi vetëm Maqedoninë, ndërsa vizitoi Shqipërinë, Bosnjë- Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *