Gjykata Kushtetuese e Kosovës refuzoi ankesën e opozitës për Gjykatën Speciale

Gjykata Kushtetuese e Kosovës refuzoi ankesën e opozitës për Gjykatën Speciale

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshme kërkesën e grupit të deputetëve të tri partive opozitare të Kuvendit të Kosovës për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e ndryshimeve kushtetuese, lidhur me procedurën e ndryshimeve kushtetuese që hapin rrugën për themelimin e Gjykatës Speciale.

Deputetët e Vetëvendosjes, AAK-së dhe NISMA-s, me kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese më 11 gusht të këtij viti, kishte pretenduar se Qeveria e Kosovës përmes deputetëve të koalicionit qeveritar kishte bërë ndryshimet kushtetuese në mënyrë jo të rregullt, për të mundësuar themelimin e Gjykatës Speciale. Parashtruesit e kërkesës kishin argumentuar se “me këtë dispozitë përmbyset i gjithë sistemi kushtetues duke pasur parasysh se dispozitat e këtij amendamenti janë në kundërshtim të plotë me karakterin dhe subjektivitetin e Republikës së Kosovës”.

Me vendimin e sotëm për hedhjen poshtë të ankesës, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se përmbajtja e Amendamentit të propozuar është identike me tekstin e Amendamentit të propozuar dhe të dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim paraprak, më 9 mars 2015 dhe se i njëjti ishte ri-proceduar nga Qeveria në Kuvend kurse, Kryetari i Kuvendit e kishte proceduar tek të gjithë deputetët, më 31 korrik 2015.

Prandaj, Gjykata ka konkluduar se nuk ka pasur nevojë që amendamenti i propozuar të shqyrtohet për herë të dytë sepse,  amendamenti i njëjtë tashmë ishte vlerësuar një herë dhe përmbajtja e tij nuk ka pësuar ndryshim apo modifikim, thuhet në arsyetimin e Kushtetueses.

Kështu, me vendimin e sotëm, të publikuar edhe në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, do t’i hapet rruga procesit përfundimtar të themelimit të Gjykatës Speciale, si dhe bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Holandës për caktimin e selisë së kësaj gjykate e cila do t’i hetojë dhe gjykojë pretendimet se, ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime të luftës./ Portalb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *