Gostivar, grup-moshat e reja shkaktari kryesor i rritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19

Gostivar, grup-moshat e reja shkaktari kryesor i rritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19

Ka shkuar në 30 numri i pacientëve që trajtohen nga Covid 19 në repartin infektiv në Gostivar. Gjashtë pacientë trajtohen në ambulantë pasi reparti posedon vetëm 24 shtretër. Kjo përbën rrezik për shtimin e infektimit, sidomos mes mantel-bardhëve, pasi aty nuk ka kushte për trajtim, sikurse nëpër dhoma. Drejtuesi i këtij reparti, infektologu Ratko Naumovski tha se grup-moshat e reja nuk u përmbahen rekomandimeve, prandaj edhe ka ardhur deri te rritja e numirt të të infektuarve të rinj.

“Vërtetë jemi duke udhëhequr një betejë të rëndë! Prandaj, i lus qytetarët e Komunës së Gostivarit, Mavrovë-Rostushë dhe të Vrapçishtit t’i respektojnë masat e Ministrisë së Shëndetësisë, pra të mbajnë maskë, higjienën personale dhe mbajtje të distancës sociale. E shoh se në Gostivar, sidmos të rinjtë nuk u përmbahen këtyre masave prandaj sot kemi numër kaq të lartë të të infektuarve. Sikur akoma nuk e besojnë këtë që ndodh, sidomos të rinjtë. I lus, së bashku me ne, ta tejkalojmë më lehtë këtë situatë duke e respektuar njëri-tjetrin dhe dijeni se ne nuk mund të ndihmojmë shumë nëse vini te ne me vonesë dhe mos e merrni vetë në dorë shërimin”.

Infektologu Naumovski u bëri më tej thirrje qytetarëve që nëse kanë edhe simptomin më të vogël, menjëherë përmes mjekut amë të drejtohen te ata për mendim dhe ndihmë mjekësore. Infektologu tjetër nga Reparti Infektiv në Gostivar, Enes Memeti tha se shumica e pacientëve që trajtohen në spital, kanë gjendje të rëndë.

“Gjendja në repartin e infektivit, pasi unë isha kujdestarë gjatë 24 orëve të fundit, mund të them se gjendja e shumicës së pacientëve është shumë e rëndë. Nuk e kam pritur këtë situatë, virusi muton vazhdimisht dhe shumë shpejtë. Sukses mund të arrijmë vetëm të bashkuar pasi virusi mund ta fundso gjithë botën”.

Ndryshe, nga fillimi i pandemisë në Gostivar janë evidentuar rreth 1500 persona të prekur nga covid 19, prej tyre mbi 440 raste janë aktive, 980 janë shëruar, kurse 67 persona kanë humbur jetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *