Gostivar, vlerësimi i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme ka përfunduar në kohë

Gostivar, vlerësimi i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme ka përfunduar në kohë

Thuajse të gjithë nxënësit e shkollave fillore në Gostivar janë vlerësuar në kohë. Edhe pse deri më 20 nëntor Ministria e Arsimit kërkoi që nxënësit të marrin notat e para lidhur me suksesin e arritur nga mësimi online, afati është zgajtru deri në fund të kësaj jave. Shpresa Useini, drejtoreshë e shkollës fillore “Ismail Qemali”, thotë se nga 1.300 nxënës, aq sa numëron kjo shkollë, vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre mund të kenë mbetur akoma pa nota, pasi rreth 10 përqind e tyre nuk kanë pasur mundësi të ndjekin mësimin nga distanca për shkak të mosëpasjes së pajisjeve të nevojshme elektronike.

Edhe në shkollat e mesme nuk janë shfaqur probleme për vlerësim. Elbash Abazi, drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë sqaron se nga 1068 nxënës, pa vlerësim në këtë shkollë mund të kenë mbetur shumë pak nxënës, të cilët, sipas tij do të kenë nota deri në fund të kësaj jave.

Mësimdhënësit që kanë kryer vlerësimin, janë të obliguar fillimisht t’i nxjerrin notat në ditarin klasik dhe më pas edhe në ditarin elektronik.

Edhe pse nuk ka nxënës apo mësimdhënës në izolim apo të infektuar me koronavirus, shkolla e mjekësisë nga dita e sotme ka ndërprerë mësimin praktik, vendim i cili është marrë për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të të infektuarve me Covid ditëve të fundit.

Në shkollën fillore “Ismail Qemali” në izolim janë katër nxënës dhe dy mësimdhënës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *