Gostivari fitoi çerdhen e tretë publike

Gostivari fitoi çerdhen e tretë publike

Në një ceremoni solemne dhe në prani të udhëheqësve të Komunës së Gostivarit dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, është inauguruar çerdhja e tretë publike në qytetin e Gostivarit, një investim prej 4 milion denarësh, kryesisht të siguruara nga buxheti i Komunës.

Pasi vizituan ambientet e çerdhes së re, kryetari Nevzat Bejta deklaroi se për shkak të punësimeve gjithnjë e në rritje të nënave gostivarase, lindi  nevoja për shtim të kapaciteteve të çerdheve për fëmijë.

Në qytetin e Gostivarit, tha kryetari Nevzat Bejta, funksionojnë dy çerdhe publike, por kapacitetet ishin të pamjaftueshme. Duke e pas para sysh këtë situatë, Komuna e Gostivarit ndërmori disa projekte.

“Kërkesat nga ana prindërve ishin shumë të mëdha, prandaj  vendosëm që në kuadër të Internatit të nxënësve të adaptojmë dhe përshtatim  ambiente për funksionimin e çerdhes së tretë publike në qytetin e Gostivarit që vendosëm ta quajmë “Bleta”. Objekti ka kapacitet për 120 fëmijë 4 deri 6 vjeç, dhe do të shpërndahen në katër grupe. Hapësira totale e objektit është 384  metra katrorë,  kopsht të rrethuar prej 2148 metra katrorë. Objekti plotëson të gjitha kriteret dhe kushtet e nevojshme, siç është korridori prej 84 metra katrorë, katër mjedise lojërash nga 34 deri 68 metra katrorë, toalete, kuzhinë dhe sallë për ushqim prej 42 metra katrorë, dhe hapësira zyrash prej 36 metra katrorë. Komuna e Gostivarit investoi mbi 2 e 800 mijë denarë”, tha kryetari Nevzat Bejta.

Unë si kryetar Komune, tha kryetar Bejta, shfrytëzoj rastin ti apeloj prindërit që tu kushtojnë rëndësi të madhe fëmijëve dhe edukimit të tyre, sepse ardhmëria e familjes dhe e qytetit tonë do varet nga edukimi i fëmijëve.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov deklaroi u shpreh se ky investim në Komunën e Gostivarit është pjesë e investimeve të shumta në nivel republikan për hapjen e çerdheve të reja për parashkollorët.

Drejtoresha e Institutit Nacional, Çerdhja për Fëmijë “Gëzimi Fëmijërorë”, Natasha Sazdovska dhe zëvendësdrejtoresha Sindis Memedi, falënderuan drejtuesit e Komunës dhe Ministrisë për investimin e kryer, duke shtuar se me vënien në funksion të çerdhes së re u tejkalua problemi që ekzistonte me mungesat e hapësirave në çerdhet ekzistuese.

Në Institutin Nacional, Çerdhja për Fëmijë “Gëzimi Fëmijërorë” në Gostivar, aktualisht janë të akomoduar rreth 600 fëmijë të moshave parashkollore.

Vitin e kaluar, në Komunën e Gostivarit u hapën edhe dy qendra për zhvillim të hershëm të fëmijëve në fshatin Debresh dhe lagjen Tullana.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *