Gostivari shënoi 8 Prillin – Ditën ndërkombëtare të romëve

Gostivari shënoi 8 Prillin – Ditën ndërkombëtare të romëve

Romët sot shënojnë Ditën ndërkombëtare të tyre – 8 Prillin. Tanimë në mënyrë tradicionale kjo ditë shënohet për të nëntin vit edhe në Gostivar. Për shkak të pandemisë, e njejta sivjet u shënua me një ceremoni simbolike me ngritjen e flamurit rom para komunës. Ceremonisë iu bashkangjit kryetari Arben Taravari dhe këshilltari i vetëm rom në Këshillin e Gostivarit, Kashmir Saliu, dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit rom. Me këtë rast, kryetari Taravari tha se komuna e Gostivarit ka një mozaik të etniteteve, ndërsa romët janë një segment i rëndësishëm i bashkëjetesës, për çka premtoi se Komuna e Gostivarit do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e jetesës të çdo bashkësie etnike, sidomos asaj rome.

“Sot festojmë Ditën Ndërkombëtare të Romëve, të cilët janë pjesë e etnisë e cila e përbën qytetin tonë si një pjesë e rëndësishme e jona. Tashmë është traditë në komunën tonë që çdo 8 Prill të festojmë së bashku e ta ngrisim flamurin rom para Komunës së Gostivarit. Për shkak të pandemisë i kemi reduktuar organizimet e tjera të cilat kanë qenë përcjellëse në këtë ditë. Si pushtet lokal jemi duke u munduar që romët të jenë pjesë integruese e shoqërisë sonë dhe dua të theksojë se për tre vite në Komunën e Gostivarit janë të punësuar dy pjestarë të etnitetit rom”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Këshilltari Saliu i cili njëheret është edhe nënkryetar i Partisë Forcat Demokratike Rome, shprehu keqëardhje që 8 Prill i sivjetëm nuk është i njejtë sikurse vitet e kaluara kur ka pasur atmosferë me të gjitha traditat dhe zakonet rome në Gostivar. Ai adresoi disa kritika në drejtim të pushtetit qendror për shkak që siç u shpreh, kjo qeveri dhe përbërja aktuale e Kuvendit nuk kanë asnjë përfaqësues të komunitetit rom.

“Ne, romët jemi ndër qytetarët më besnik të këtij shteti, por për fat të keq trajtimin që e marim nuk përputhet me atë që ne si qytetarë e japim. Nëse bëhet një analizë fitohet përshtypja se në këtë shtet ekzistojnë vetëm dy etnitete. Me shumë respekt, ata janë ajo maqedonase dhe shqiptare. Dhe unë sot kam vendosur të flas hapur pasi ne si rom nuk kemi asnjë anëtarë të vendosur në institucionet të cilat ndijojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së romëve. Sot, kur Qeveria ka séanca e shihni se aty nuk ka asnjë ministër rom. Asnjë përfundim që vjen nga qeveria, ne nuk mund të marrim informacion. Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, poashtu nuk ka asnjë deputet rom, i cili do të luftonte të drejtat e bashkësisë rome”, deklaroi Kashmir Saliu, këshilltar në Këshillin komunal të Gostivarit.

Saliu, i bëri thirrje komuniteti rom të bëhen bashkë sidomos në zgjedhjet lokale për të treguar fuqin e tyre që kanë si komunitet.

“Kërkojë bashkim të të gjithë romëve në projektin që unë e fillova kohë më parë si nënkryetar i Forcave Demokratike Rome me ekipin tim që të jemi të bashkuar rreth një qëllimi të vetëm, e që është: barazi e plotë, socializim i plotë dhe trajtim i njejtë edhe për romët. Të nderuar romë, si anjëherë deri më tani është nevoja e bashkimit, pa dallim të përkatësisë politike, pasi ne ua kemi boxh të parëve tanë bashkimin. Këtë proces ne e kemi filluar dhe ai nuk mund të tejkalohet. E shfrytëzojë mundësin pasi ndodhemi këtu në Gostivar të theksoj se ne romët për zgjedhjet e ardhshme lokale jemi fuqishëm të organizuar, se ka kaluar koha e ndasive dhe se romët fitojnë vetëm në një rast i cili është kur ne jemi të bashkuar”, deklaroi Kashmir Saliu, këshilltar në Këshillin komunal të Gostivarit.

Bari Abduli, anëtar i kabinetit të kryetarit Taravari nënvizoi se pushteti lokal gjatë kësaj periudhe të vështirë si pasojë e pandemisë, ka vendosur të ndihmojë disa familje rome në Gostivar.

“Komuna e Gostivarit punon për kohezion dhe zhvillim të barabarët. Punon fuqishëm për shoqëri inkluzive me të cilën mundësohet integim i plotë social i bashkësisë rome. Për fat të keq për shkak të pandemisë me të cilën ballafaqohemi, ne nuk kemi mundësi ta festojmë 8 Prillin ashtu siç meritojnë romët në Gostivar. Komuna e Gostivarit ka ndarë mjete financiare me të cilat do të ju ndihmojë familjeve më të rrezikuara në qytet. Poashtu, së bashku me kryetarin mundohemi t’u sigurojmë kushte themelore për jetesë romëve”, deklaroi Bari Abduli, anëtar i kabinetit të kryetarit Taravari.

Ndryshe, komuniteti rom njihet prej 50 vitesh, pasi më tetë Prill të vitin 1971 në Londër filloi Kongresi i parë i romëve i cili zgjati deri më 11 prill. Në Maqedoni, sipas regjistrimit në vitin 2002, jetojnë rreth 53.879 romë, sot mendohet numri i tyre të jetë rritur edhe për 100 mijë banorë. Me Kushtetutën e vitit 2001, romët në Republikën e Maqedonisë së Veriut njihen si popull. Ata janë popull indo-evropian me shtetin e tyre amë Indinë, kurse në Maqedoninë e Veriut mendohet të kenë ardhur për herë të parë në shekullin e 14-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *