Kërkesa e Kosovës për të hyrë në UNESCO ka kaluar fazën e parë

Kërkesa e Kosovës për të hyrë në UNESCO ka kaluar fazën e parë

Kosova ka kaluar fazën e parë për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi tha se kërkesa e Kosovës është mbështetur fuqishëm nga shumë shtete, duke përfshirë edhe shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Jemi shumë të gëzuar që në historinë më të re të UNESCO-së ky është një numër rekord i shteteve që kanë bashkënënshkruar një kërkesë për agjendë. Pra janë gjithsejtë 42 shtete nga të gjitha kontinentet, me një përfshirje globale që e kanë përkrahur futjen e Kosovës në agjendë. Dhe me këtë hap, ka përfunduar etapa e parë e fushatës tonë për hyrjen në UNESCO”, tha Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Pas kësaj etape, Selimi tha se Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim më 3 tetor, ndërsa Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s pritet të votojë në javën e parë të nëntorit me ç’rast do të kërkohen 2/3 e votave për pranimin e Kosovës në këtë agjenci të OKB-së.

Selimi tregoi se deri në këtë fazë Kosova është penguar shumë nga diplomacia serbe me fushata kundër anëtarësimit në UNESCO, por sipas tij falë ndihmës së shteteve mike e në veçanti Shqipërisë, Kosova i ka kaluar me lehtësi procedurat e nevojshme.

“Ne nuk kemi prezencë vet në UNESCO prandaj mund të them se Ambasada e Shqipërisë, delegacioni në UNESCO ka qenë gati si ambasadë e jona gjatë këtyre tri javëve të fundit. Është bërë një punë shumë e madhe”, vijon Selimi.

Selimi prezantoi edhe librin që e ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme dhe i cili përmbanë shumë vlera të shtetit kosovar, për të sensibilizuar të gjithë për rëndësinë e asaj që ofron Kosova për UNESCO-n.

“Fushata jonë ka qenë pozitive. Ne kemi përfshirë edhe Rita Orën, doktor Ferid Muratin nobelist, Inva Mulën. Gjatë javëve në vijim do të ketë befasi tjera dhe personalitete tjera të cilët në faza të ndryshme dhe ditë të ndryshme do të paraqiten në media botërore me përkrahje për Republikën e Kosovës”, tha ai.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme tha se anëtarësimi i Kosovës në ONESCO është një përfitim i shumëfishtë por edhe me shumë rëndësi politike, pasi është agjensioni i parë i OKB-së ku Kosova do të anëtarësohet dhe ku do t’i hapen edhe shumë mundësi të reja për anëtarësim në organizata tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *