Koronavirusi ndalon edhe martesat, vetëm dhjetë kurorëzime në kohë pandemie në Gostivar

Koronavirusi ndalon edhe martesat, vetëm dhjetë kurorëzime në kohë pandemie në Gostivar

Masat të cilat u vendosën për ta parandaluar përhapjen e virusit korona i kanë penguar të rinjtë të kurorëzohen, me çka edhe shumë dasma janë shtyer ose anuluar. Gjatë kësaj periudhe në qytetin e Gostivarit ka pasur vetëm dhjetë kurorëzime pa asnjë ceremoni, dhe të gjitha kanë qenë raste urgjente. Nijazi Asani – Shef i Drejtorisë për udhëheqjen e librave amëz në Gostivar, thotë se qytetarët kanë qenë të ndërgjegjshëm dhe gjatë kësaj periudhe, nuk ka pasur shumë kërkesa për kurorëzim.

“Nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Gostivar ka pasu vetëm dhjetë kurorëzime, dhe të gjitha kanë qenë raste urgjente. E kam fjalën për të atilla raste kur është dashur të rregullohet ndonjë dokumentacion, shkuara jashtë vendit ose lindja e fëmijëve. Pra, qytetarët e Gostivarit mund të them me bindje se kanë qenë të ndërgjegjshëm dhe gjatë kësaj periudhe, nuk ka pasur kërkesa për kurorëzim. Edhe ashtu te ne gjatë kësaj kohe nuk ka shumë kurorëzime, pasi ato më shumë ndodhin gjatë stinës së verës”, deklaroi Asani – Shef i Drejtorisë për udhëheqjen e librave amëz në Gostivar.

Edhe pse i kanë thënë “po” dashurisë së tyre, kurorëzimet janë zhvilluar pa ceremoni nga çiftet e reja. Asani pastaj sqaron se në vend se te komuna, ceremonia me masa të rrepta është zhvilluar te hapësirat e drejtorisë për udhëheqjen e librave amëz.

“Kurorëzimet janë realizuar pa ceremoni dhe jo në hapësirat e Komunës së Gostivarit, por këtu te ne. Duke i respektuar të gjitha rekomandimet shëndetësore, ne vendosëm rregull nënshkrimet çifti bashkëshortorë mos i vendos bashkë, por të vijnë te ne një nga një, pastaj një nga një kanë ardhur për t’u nënshkruar edhe dëshimtarët”, deklaroi Nijazi Asani – Shef i Drejtorisë për udhëheqjen e librave amëz në Gostivar.

Ndryshe, Drejtorisë për udhëheqjen e librave amëz në Gostivar edhe përskaj të gjendjes së jashtëzakonshme, ka punuar pa ndërprerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *