Koronavirusi zbraz arkat e komunave

Koronavirusi zbraz arkat e komunave

Komunat shënojnë një rënie të të ardhurave buxhetore që nga fundi i marsit për shkak të krizës me pandeminë nga Covid 19. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, konfirmon se ka një rënie të të ardhurave për 71 për qind në muajin mars krahasuar me të njejtin muaj nga viti i kaluar. Ai tha se për shkak të kësaj situate, sivjet do të ketë vetëm investime aty ku do të paraqitet ndonjë urgjencë.

“Vetëm për muajin mars të hyrat në buxhetin e Komunës së Gostivarit janë për 71 % më të ulta se marsin e vitit 2019-të. Me uljen e të hyrave natyrisht që do të kemi vështirësi për realizim të projekteve. Prandaj nuk planifikojmë projekte të mëdha në këtë kohë krize, pos disa gjërave të cilat janë urgjente për funksionimin e Komunës së Gostivarit”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Ai bëri thirrje qeverisë që për të tejkaluar situatën e krijuar, nga kreditë e marra nga institucionet ndërkombëtare, një pjesë t’u dedikohen komunave.

“Kjo situatë paraqitet e njejtë në çdo komunë dhe sinqerisht ua them se nga Qeveria nuk kemi pasur asnjë ndihmë e as që na kanë pyetur se a na duhet diçka. Shpresojë që në periudhën e ardhshme, ato para që i marrin në formë të kredisë, ti shpërndajnë edhe nëpër komuna. Nuk kërkojmë para të pakthyeshme, por të na japin para në formë kredie me normë të ulët interesi”, deklaroi më tej kreu i Gostivarit, Taravari.

Që mos vijë deri te përkeqësimi më i madh i situatës ekonomike, pasi edhe situata me COVID-19 po stabilizohet dy javët e fundit në vendin tonë, kryetari Taravari tha se masat kufizuese në mënyrë graduale duhet të suspendohen, duke filluar me shkurtimin e orës policore.

Ai u bën apel kompanive dhe qytetarëve që nuk janë prekur nga pandemia që të paguajnë detyrimet e tyre me aq sa kanë mundësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *