Korrupsioni dhe besueshmëria e sistemit të drejtësisë

Korrupsioni dhe besueshmëria e sistemit të drejtësisë

Korrupsioni midis gjyqtarëve dhe prokurorëve, drejtësia e shtrenjtë dhe procedurat e gjata gjyqësore janë tre problemet më të mëdha për qytetarët që kanë provuar golgotën e prokurorive apo gjyakatave në lëkurën e tyre, tregojnë rezultatet e hulumtimeve të fundit nga OJQ-të mbi punën e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Kryetari i Gjykatës së Apelit në Gostivar, Shefajet Hajdari, thotë se sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut duhet të ri-organizohet dhe 13 Gjykata duhet të mbyllen. Sipas tij këto gjykata pos harxhimeve, nuk sjellin dobi për shoqërinë.

“Në bazë të standardeve evropiane ne në Maqedoni si duket kemi numër të tepruar të gjykatësve në kokë banori krahasuar me shtetet evropiane. Mungon mënyra e duhur e organizimit të gjyqësorit në Maqedoni. Sipas disa analizave, pjesë e të cilave kam qenë edhe unë vetë, 13 Gjykata në Maqedoni duhet të mbyllen. Ata mund të bëhen degë të gjykatava më të mëdha por edhe mund të mbyllen tërësisht. Kemi Gjykatën e Berovës, Resnjës, Krushevës … Lëndë shumë pak, gjykatës shumë pak, por harxhimet janë të njejta si në qytetat e mëdha”.

Hajdari mohon se perceptimi i sistemit të korruptuar gjyqësorë, shtynë gjeneratat e reja të mos merren me këtë profesion, por nuk e mohon se në sferën e tyre ka korrupsion.

“Sa i përket punës së korrupsionit mendoj se të gjithë ne si qytetarë duhet të marrim pjesë në luftën kundër këtij fenomeni të shëmtuar. Është një punë shumë problematike dhe duhet të kyçen të gjitha institucionet shtetërore, pasi nuk mund të themi se nuk ka korrupsion. Ai ekziston jo vetëm në gjyqësi, por në çdo porë të shoqërisë në shtet post-komuniste, si edhe në shtetin tonë”.

5 vitet e fundit, ligjet e sjellura në aspektin formal sigurojnë pavarësinë në gjyqësorë, por politika dhe lobi gurpet e biznesit kanë ndikimin e tyre, thotë Hajdari. Sipas tij, nuk do të mund të çrrënjosë korrupsionin dhe ndikimin në sistemin gjyqësorë, nëse kjo nuk bëhet nga vetë ndërgjegja e gjykatësve.

“Tjetër është ajo çka flitet dhe tjetër është ajo çka ndodh në gjyqësi. Sipas mendimit tim, nuk mund të përjashtohet se ka ndikim nga politika dhe lobi grupet e biznesit. Mirëpo, në bazë të rregullativave pozitive të të gjitha ligjeve ekzistuese në RMV, mundësia për ndikim në gjyqësi është shumë e vogël. Çdo gjykatës që sjellë një vendim të caktuar duhet të jep edhe arrsyetimin pse ka vendosur në atë formë”.

I pyetur pse derisa politika nuk mund të ketë ndikim te puna e tyre, shumë ish zyrtarë dhe zyrtarë aktual me afera të ndryshme nuk shkojnë në burg, ai thotë se këtë dilem do ta hiqte vetting, por i formës për kontrollë të punës e jo të pasurisë së gjykatësve.

“Është çështje relative, janë disa lëndë që janë procesuar në Gjykatën Penale të Shkupit 1, ku rastet janë dhe atje procesuohen. Në Gjykatën tonë unë nuk di të kemi pasur raste të atilla. Ka ose nuk ka ndikim politika, prapë do thoja se është çështje personale e çdo gjykatësi dhe jo rastësisht jam edhe përkrahës i vettingut. Kur përmendi vettingun, te ne ai kuptohet vetëm si kontrollë i pasurisë por jo edhe të punës së gjykatësve. Jo, unë jam më shumë për të kontrolluar punën e gjykatësve dhe aty kur ta shohim pastaj se një gjykatës ka punuar drejtë, nuk duhet të shkojmë te pasuria e gjykatësit”.

Në krahasim me ato të rajonit, gjykatësit tanë i kanë pagat më të ulta, prandaj thotë Hajdari nuk mund të kemi gjykatës shumë të pasur. Shton se në Maqedoni nuk ka profesion me të cilin në mënyrë të ndershme mund të bëhesh i pasur. Ai fton qytetarët që posedojnë informacione në lidhje me korrpsionin, t’i denoncojnë të njejtat te institucionet përkatëse dhe siguron se mbrojtja është 100 përqind e garantuar. Ndryshe, analizat e fundit flasin se 50 përqind e qytetarëve tonë nuk i besojnë sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *