Kosovë, qeveria miraton projektligjin për ratifikimin e MSA-së

Kosovë, qeveria miraton projektligjin për ratifikimin e MSA-së

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Përfitimet që do të kemi në aspektin e zhvillimit ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, të marrëdhënieve tregtare me vendet e BE-së, sepse na hapet një treg prej më shumë se 500 milionë banorësh, që do të thotë se kërkohet që ekonomia jonë të jetë e gatshme të zhvillohet dhe të aplikojë në këtë treg”, tha kryeministri Isa Mustafa.

“Ne sot i propozojmë Kuvendit që të hënën ta trajtojë këtë Marrëveshje që do të jetë pikë e vetme e seancës së Kuvendit, në mënyrë që të procedojmë më shpejt dhe të krijojmë kushte që Marrëveshja sa më shpejt të hyjë në fuqi dhe t’i realizojmë objektivat tona”, shtoi kryeministri.

Ndërsa ministri i integrimit Bekim Çollaku tha se nga këndvështrimi politik, MSA-ja ka avancuar marrëdhëniet e Kosvës me BE-në nga një marrëdhënie deklarative politike dhe e vullnetit të mirë, në marrëdhënie kontraktuale me të drejta dhe obligime për të dy palët nënshkruese: “Si e tillë, MSA-ja është bazament i procesit formal të anëtarësimit tonë në BE. Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova ka filluar rrugëtimin e saj zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Në kuadër të MSA-së, BE-ja e ka marrë si detyrim të realizojë perspektiven evropiane të Kosovës, duke integruar Kosovën në BE, në harmoni me kriteret e Kopenhagës të vitit 1993. Nga këndvështrimi ligjor, MSA-ja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka bazë të njëjtë ligjore sikur të gjitha MSA-të e vendeve të rajonit. MSA-ja është negociuar në bazë të nenit 218 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian”.

Ai po ashtu theksoi se MSA-ja formalizon dialogun institucional me BE-në, do të përafrojë legjislacionin ekzistues dhe legjislacionin e ardhshëm në mënyrë graduale me tërë legjislacionin e BE-së dhe se MSA-ja gjithashtu parashikon thellimin e bashkëpunimit dhe reformat e nevojshme në më shumë se 40 fusha të ndryshme etj.

Nga këndvështrimi ekonomik, sipas ministrit të Integrimit Evropian, MSA-ja do të këtë një varg të efektesh pozitive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *