Kriza politike, ditë të vështira e presin Maqedoninë

Kriza politike, ditë të vështira e presin Maqedoninë

Maqedoninë e presin ditë të vështira nëse dështon marrëveshja e 2 qershorit për zgjidhjen e krizës politike. Zbatimi i këtij dokumenti në praktikë është vënë në pikëpyetje, pasi partitë kryesore në Shkup kanë shkelur të gjitha afatet e marrëveshjes.

Për të shmangur pasojat nga thellimi i krizës, Instituti për Demokraci, përmes një letre të hapur, ka ftuar palët t’i rikthehen negociatave dhe të gjejnë sa më parë një zgjidhje për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

Marko Troshanovski thotë: “Thellimi i krizës mund të shkaktojë destabilizim politik dhe trazira. Unë shpresoj që të mos ketë edhe konflikte të përmasave më të mëdha. Ndaj, ftoj politikanët të punojnë për tejkalimin e krizës dhe jo thellimin e saj”.

Nëse dështon marrëveshja e 2 qershorit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme në prill të vitit 2016, kurse politikanët që nuk kanë respektuar obligimet që dalin nga ky dokument mund të përballen me sanksione të rënda nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet që zhvillohen në Shkup, Piter Vanhojt, nuk ka përgënjeshtruar pohimet se Brukseli ka gati një listë me emrat e politikanëve të korruptuar në Maqedoni, të cilëve mund t’ua ndalojë lëvizjen drejtë vendeve të BE-së nëse kriza nuk tejkalohet.

“Këto skenarë, apo qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj Maqedonisë përmes shembullit të Bjellorusisë, u paralajmëruan nga përfaqësuesit evropianë. Kështu që, unë mendoj se këto janë edhe qëndrimet zyrtare të BE-së”, shtoi Troshanovski.

Nëse udhëheqësit politikë nuk arrijnë të tejkalojnë dallimet deri në fund të javës, mësohet se marrëveshja e 2 qershorit do të shpallet e dështuar. Lidhur me krizën në Maqedoni, një ditë më parë ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke kërkuar vazhdimin e negociatave dhe stabilizimin e situatës sa më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *