Kumanovë, me fanatizëm ruhet zakoni i mos-martesës mes bashkë-fshatarëve

Kumanovë, me fanatizëm ruhet zakoni i mos-martesës mes bashkë-fshatarëve

Sot nëpër vende të ndryshme të botës martesat e dy individëve të gjinisë së njejtë po e cenojnë para së gjithash vetë definicionin për martesën, (si bashkim i një femre me një mashkull), ndërsa përpjekjet për ta legalizuar një gjë të tillë vetëm se po shtohen. Megjithatë në disa fshatra shqiptare, martesa mes bashkë-fshatarëve do të ishte një “tabu temë” e mundshme. Në fshatin Llopat, të Kumanovës dhe shumë fshatra të Komunës së Likovës, si: Vaksincë, Vishticë, Llojan, Nakushtak, Opajë, Orizare, Ropalcë, Sllupçan… ruhet me fanatizëm zakoni i mos-martesës së bashkë-fshatarëve.

Zanafillën e zakonit të mos-martesave mes bashkë-fshatarëve, për Portalb e sqaroi një 80 vjeçar nga fshati Sllupçan: “Prej në kohën e turkut, para vitit 1912 në Sllupçan kanë ardhur nga Shqipëria Kryeziu, Krasniqi dhe Sopaj, si një grup i vogël i njerëzve. Ata kanë vendosur që ashtu të jetojnë si vëllezër, që të mos martohen asnjëherë mes vete, të mos krijojnë miqësi mes veti, ‘të mos i përziejnë gjaqet’. Edhe kur u rrit fshati ashtu mbeti. Nuk martohemi mes veti, se jemi pothuajse të gjithë të afërt.”

Imami i fshatit Sllupçan, Azir Avdiu, konfirmon se asnjëherë deri tani nuk ka ndodhur që martesë të ketë mes bashkëfshatarëve, pasi 98% janë vendas. Sipas tij, ky është një zakon, respektimi i të cilit nuk ka sjellur ndonjë problem asnjëherë e as që do të shkaktojë në të ardhmen. “Islami e lejon martesën mes bashkëfshatarëve, pasiqë fshati është rritur, është i ndarë në lagje: telak, kaçerr, tabak… Nuk ka asgjë të keqe po u martuan dy të rinj prej lagjeve të ndryshme. Biles, nuk ka asnjë problem edhe po u martuan dy të rinj nga e njejta lagje. Megjithatë, edhe nëse respektohet zakoni i mos-martesës mes bashkëfshatarëve, sërish nuk ka ndonjë problem. Fundja, sipas porosive profetike sa më larg që jetojnë dy të rinj, të cilët martohen, aq më  mirë është. Në këtë rast njoftohen dy familje, dy fshatra, një fshat me një qytet… kështu krijohet një rreth më i gjerë i shoqërisë.”-sqaroi Avdiu qëndrimin e Islamit rreth kësaj dukurie.

Pamje nga fshati Llojan

 

“Edhepse Llojani është fshat i madh me 3000 banorë dhe rreth 600 shtëpi e pavarësisht se ka edhe familje të ardhura nga Kosova, me të cilët nuk kemi lidhje farefisnore, deri sot nuk ka ndodhur të martohen bashkëfshatarë mes vete. Ne të gjithë njihemi mes vete dhe shkaku i këtij zakoni e konsiderojmë njëri-tjetrin si anëtar të familjes.”-thaRexhep Salihu, i cili beson se kjo traditë do të vazhdojë të respektohet edhe në të ardhmen.

 

Pamje nga fshati Llopat

 

 

“Llopati  është fshati i vogël. Pothuajse asnjë familje nuk është vendase, jemi të gjithë të ardhur nga vende të ndryshme, pra nuk kemi prejardhje të përbashkët, nuk jemi fis. Logjikisht na lejohet të martohemi mes vete. Megjithatë në rast se dy të rinj dashurohen dhe duan të martohen, ata duhet të shpërngulen prej këtu, dasëm nuk mund të bëjnë, familjet nuk pranojnë. Kështu ka qenë para shumë viteve, ndërsa nuk ka pasur ndonjë martesë të tillë kohën e fundit. Këtë rregull e kanë vendosur pleqtë tanë para shumë viteve dhe kjo rregull vazhdon të respektohet.”– deklaroi 21 vjeçarja, Elmedina Muharremi.

Sidoqoftë, ka të rinj, të cilët e paguan shtrenjtë çmimin e ruajtjes së zakonit në fjalë. Për Portalb pranoi të flasë edhe një viktimë e këtij zakoni, me ç’rast rrëfeu: “Problemi i vetëm ishte se jetonim në një fshat të dy. Tradita nuk lejonte të bashkoheshim edhepse e donim njëri-tjetrin çmendurisht. Ishte dashuria ime e parë! Ndarja, pasi veçmë kishim filluar një lidhje të fshehtë, më ka dëmtuar shumë psiqikisht dhe fizikisht. Prej ditës që u ndamë, 16 muaj isha keq me shëndetin, mezi e kam marrë veten… Kurrë, kurrë nuk do të ishim ndarë po të kishim jetuar diku tjetër!”/Portalb.mk  

Pamje nga fshati Vaksincë

Pamje nga fshati Opajë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *