Lëshohen në përdorim parku dhe këndi i lojrave në fshatin Balindoll

Lëshohen në përdorim parku dhe këndi i lojrave në fshatin Balindoll

Bashkëpunimi i mirë mes pushtetit lokal dhe Bashkësisë Lokale të fshatit Balindoll, ka bërë që vendi që llogaritej si deponi e egër në fshat, sot të shndërrohet në park dhe kënd lojrash. Hapësira ka një sipërfaqe rreth 3.000 metra katror dhe është investim i përbashkët i Komunës së Gostivarit dhe banorëve të Balindollit. Ajo gjatë ditës së sotme është lëshuar zyrtarisht në përdorim nga ana e kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe drejtuesit e Bashkësisë Lokale të Balindollit. Kryetari Taravari tha se ky investim ka qenë premtim i tij elektoral në 2017-tën dhe sot bëhet realitet bashkë me disa parqe tjera të ndërtuara nëpër fshatrat e Gostivarit.

Në fshatin Balindoll, komuna e Gostivarit ka realizuar edhe disa investime të tjera në të kaluarën, si: stadiumin, rinovimin e shkollës, rregullimin e disa rrugicave dhe instalimin e linjës së ujësjellësit në atë pjesë ku nuk ekzistonte. Aktualisht punohet në ndrimin e gypave të vjetër të të gjithë ujësjellësit të fshatit.

Bekim Çelebiu, drejtor i ndërmarrjes publike “Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi”, e cila ka bërë rregullimin e parkut në fshatin Balindoll, tha se në të janë vendosur drunj, oaza zbukuruese, trotuare, ndriçim publik dhe dy çezma për ujitje të sipërfaqeve gjelbëruese.

Tefik Nuredini, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Balindoll ka falenderuar komunën e Gostivarit për bashkëpunimin dhe investimet e shumta në fshatin e tij. Ai theksoi se parku i ri në Balindoll tubon në ditë nga 100 fëmijë, të cilët nga vendbanime të tjera shkojnë atje për argëtim.

Ndryshe, Komuna e Gostivarit për tre vite ka vendosur dhjetëra kënde lojrash për fëmijët në qytet dhe fshatra, ndërsa njëri prej tyre është për fëmijë me pengesa në zhvillim. Kryetari Taravari premtoi se vitin e ardhshëm do të vendosen edhe dhjetë kënde tjera, pasi janë kërkesë e qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *