Maqedoni, çdo ditë kalojnë mbi 3 mijë persona. Shkupi kërkon ndihmë

Maqedoni, çdo ditë kalojnë mbi 3 mijë persona. Shkupi kërkon ndihmë

Kriza me refugjatët nga Lindja e Mesme vazhdon të thellohet. Përfaqësuesit e UNHCR-së në Shkup njoftuan se nga java e kaluar fluksi i emigrantëve ka shënuar rritje dhe se numri i atyre që kalojnë transit nëpër Maqedoni shkon deri në 3 mijë persona në ditë.

Sekretari Shtetëror për Çështje Europiane në qeverinë e Francës, Harlem Desir, gjatë vizitës së tij në Shkup, paralajmëroi se BE-ja po mobilizohet për të ndihmuar vendet e Ballkanit që përballen me këtë sfidë.

“Ju po përballeni me një krizë serioze dhe solidariteti europian është i pashmangshëm. Komisioni Europian do të ndajë fonde të posaçme prej 1,5 milionë euro, por sigurisht nevojitet edhe ndihmë shumë më e madhe në aspektin teknik. Të gjitha analizat flasin se ky fenomen do të zgjasë, ndaj ne duhet t’i përgjigjemi me një plan afatgjatë në nivel europian”, u shpreh Desir.

Edhe deputetët e Parlamentit maqedonas theksuan nevojën për ndihmë nga jashtë. Para zyrtarit francez, deputetja e BDI-së Nora Aliti, tha se Maqedonia është vend i vogël dhe i pafuqishëm për t’u përballur me krizën e refugjatëve.

“Jemi shtet i vogël dhe na nevojitet ndihmë jo vetëm financiare, por edhe teknike për t’u përballur me situatën e krijuar. Në këtë kontekst, ne kemi kërkuar që të gjendet një model i përkohshëm i ndërhyrjes së agjencisë ‘Frontex’”, deklaroi deputetja Aliti.

Ndërkohë, bëhet e ditur se mijëra refugjatë po i afrohen kufirit të Maqedonisë nga Greqia. Mediat në Athinë kanë njoftuar se vetëm natën e kaluar në portet greke kanë zbarkuar mbi 4200 persona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *