Maqedoni, mjekët nënshkruajnë peticion kundër refugjatëve ilegalë

Maqedoni, mjekët nënshkruajnë peticion kundër refugjatëve ilegalë

Mjekët maqedonas, nga komunat në afërsi të kufirit jugor me Greqinë, kanë firmosur një peticion, përmes të cilit kanë njoftuar Fondin për Sigurimet Shëndetësore se nuk do të mund të ofrojnë shërbime mjekësore për refugjatët nga Lindja e Mesme.

Bëhet fjalë për 23 mjekë, të cilët kanë refuzuar të bëjnë kujdestari në Ambulancën e improvizuar, që ndodhet në stacionin hekurudhor të qytetit të Gjevgjelisë, ku – sipas tyre, – nuk janë krijuar as kushtet elementare për ofrimin e shërbimeve mjekësore.

“Duke pasur parasysh se nuk zotërojmë të dhëna për gjendjen e tyre shëndetësore dhe se nuk janë siguruar mjete të mjaftueshme mbrojtëse, gjatë kontaktit me to mund të rrezikojmë shëndetit tonë e të familjeve tona”, thuhet mes të tjerash në peticionin e mjekëve maqedonas.

Ndërkohë, kriza e refugjatëve në Maqedoni pritet të thellohet, pasi në zonën kufitare midis Maqedonisë dhe Greqisë, në 24 orët e ardhshme priten të mbërrijnë mbi 7000 persona.

“Komandanti i qendrës sonë kolektive, këtu në kufi, më informoi se është në koordinim të vazhdueshëm me palën greke. Autoritetet greke japin vazhdimisht informacione rreth situatës me emigrantët dhe lëvizjes së tyre drejt territorit tonë, me qëllim që të jemi të përgatitur maksimalisht”, tha Zoran Jolevski, ministër i Mbrojtjes në Maqedoni.

Vetëm gjatë së dielës, mbi 1200 refugjatë kanë hyrë në territorin e Maqedonisë, nga Greqia, dhe më pas janë nisur drejt kufirit verior me Serbinë. Sipas të dhënave zyrtare, në dy muajt e fundit, mbi 53 mijë refugjatë nga Lindja e Mesme, që synojnë vendet europiane, kanë kaluar tranzit nëpër Maqedoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *