Messi mposht Ronaldon 49-2 dhe shpallet “Lojtari i Vitit”

Messi mposht Ronaldon 49-2 dhe shpallet “Lojtari i Vitit”

Hedhjes së shortit për fazën në grupe të Ligës së Kampioneve i parapriu dorëzimi i trofeve për lojtarin më të mirë dhe golin më të bukur të sezonit të shkuar, ku siç ndodh rëndom vitet e fundit në garë ishin dy; Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Në fund, asi argjentinas doli edhe njëherë tjetër fitues ndaj yllit të Realit të Madridit. Ai u nderua me çmimin Lojtari më i Mirë në Europë i UEFA-s, falë një sezoni ku Messi ishte lideri i padiskutueshëm i Barcelonës që fitoi të tre trofetë në lojë, Championsin, La Ligën dhe Kupën e Mbretit.

Bashkë me Ronaldon dhe Messin në garë për këtë trofe ishte dhe uruguajani Luis Suarez. Në fund, 49 vota shkuan për “Pleshtin”, 3 për Luis Suarez dhe vetëm dy për Ronaldon.

Vetë Messi ia dedikoi çmimin e tij forcës së grupit duke ritheksuar edhe një herë konceptin se rëndësi për të kanë sukseset e skuadrës. Ky ishte çmimi i dytë “Lojtari më i mirë në Europë” i UEFA-s për Lionel Messin që e kishte fituar më parë edhe në edicionin e tij të parë në sezonin 2011-2012.

Çmimi lojtari më i mirë në Europë jepet nga votat e 53 gazetarëve sportivë që përfaqësojnë vendet anëtare të UEFA-s dhe padyshim, që për Messin është një ogur i mirë dhe në këndvështrimin e “Topit të Artë” që jepet në janar.

Ylli argjentinas fitoi edhe një tjetër çmim, atë të golit më të mirë të sezonit në Europë. Finalizimi i Messit në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Championsit, kundër Bayernit në “Camp Nou”, u zgjodh si goli më i bukur me 39 përqind të votave duke mposhtur kështu golin që shënoi rivali i tij portugez, Ronaldo me Realin e Madridit kundër Liverpoolit në fazën e grupeve të Championsit.

Për sa i përket futbollit të femrave, cmimi i lojtares më të mirë në Europë shkoi për futbollisten gjermane Celia Sasic.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *