Mjekohet në shtëpi nën dyshimin se është i infektuar me Covid 19, 74 vjeçari ndërron jetë nga ataku kardiak, pas vdekjes rezulton pozitiv me Covid

Mjekohet në shtëpi nën dyshimin se është i infektuar me Covid 19, 74 vjeçari ndërron jetë nga ataku kardiak, pas vdekjes rezulton pozitiv me Covid

Mehmed Arsllani 74 vjeçar nga Gostivari, pasi ndërron jetë, rezulton të jetë pozitiv në Covid 19. Kjo ka qenë arsyeja që dhëndri i tij Rexhep Gjapi të ngrihet dhe të kërkoj drejtësi. Gjapi thotë se vjehrri i tij nuk ishte testuar për virusin korona gjatë kontrollit mjekësor që ka pasur pranë Spitalit të Gostivarit dhe pikërisht për këtë arsye ishte lënë të mjekohet në shtëpi.

“Nuk e kanë testuar aspak, vetëm kemi një dokument ku dyshohet se mund të jetë i infektuar me Covid. Test nuk u bë dhe atë e lëshuan në shtëpi. Kontrolli u bë me 21 korrik 2020 në ora 08:54 në Spitalin e Gostivarit. Nuk e mbajtën as në Spital e as në Repartin Infektiv. Nëse e keni si të dyshuar dhe ka rrezik të jetë i infektuar me Covid, i pyesin mjekët pse e lëshuan në shtëpi të ndjerin. Ai të nesërmen më 22 korrik 2020, një ditë pas kontrollit spitalor, ndërroi jetë. Sot, pasi dy ditësh pas vdekjes së tij, i marrim rezultatet se ka pasur rrezik për jetë nga Corona dhe se paska qenë pozitiv. Nuk jemi t’u kuptuar asgjë, pse luajnë me njerëzit”, thotë Gjapi.

Në tentim për të larguar dyshimet nëse 74 vjeçari ishte ose jo i infektuar me virusin korona, familja e tij, kishin sjellur edhe mjek privat për ta kontrolluar në shtëpi. Që të dy mjekët i kanë konfirmuar familjes, se 74 vjeçari nuk është i prekur nga virusi korona, porse ka probleme me zemrën.

“Mjekët e tjerë privat të cilët e kanë kontrolluar të ndjerin në shtëpi, konfirmuan se nuk ka Covid, por ka probleme me zemrën. Momentin kur vdes, mjeku kardiolog ka konfirmuar se ai ka ndërruar jetë nga problemet me zemrën. Ne kërkojmë përgjegjësi se çfarë ndodhi. Dakord, mund të ishte prekur nga Covid, por se nuk u mbajtë në Spital”, pyet Rexhep Gjapi, dhëndër i të ndjerit.

Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi thotë se personat që dyshohen se mund të jenë infektuar nga virusi korona, derisa nuk del rezultati urdhërohen të qendrojnë në izolim shtëpiak. Pas rezultatit, nëse ai është pozitiv dhe ka vështirësi shëndetësore, atëherë pacientët shtrohen në spital.

“Të gjithë pacientët të cilët dyshohen si të dyshuar ju merret testi dhe trajtohen në kurim shtëpiak deri te verifikimi i rezultatit. Nëse testi del pozitiv, të gjithë këta pacientë thirren dhe sipas gjendjes së tyre shëndetësore të përgjithshme, vendoset për trajtimin. Nëse ankohen në simptome më të rënda, atëherë pranohen dhe kurohen në Repartin Infektiv, nëse kanë simptoma më të lehta kanë trajtim shtëpiak. Megjithatë, edhe në trajtim shtëpiak, ata kontaktohen vazhdimisht nga shërbimi epidemiologjik. Kështu përcillet gjendja e tyre epidemiologjike derisa i kalojnë dy javët e parapara dhe pastaj thirren për testim kontrollues, siç janë testi i parë dhe i dytë për tu verifikuar gjendja e tyre nëse janë ende pozitiv ose janë negativ. E gjithë kjo bëhet pasi është rritur numri i të infektuarve dhe kapaciteti i Repartit të Infektologjisë në Spitalin e Gostivarit është deri në 25 shtretër. Ne për momentin aty kemi 21 të sëmurë që kurohen”, thotë drejtori i Spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi.

Drejtori Jakupi shton më tej se çdo pacient i dyshuar me virusin korona, i rekomandohet të qendrojë i izoluar.

“Patjetër që rekomandohet qëndrimi në izolim shtëpiak derisa të merren rezultatet”, deklaron drejtori Jakupi.

Familjarët e 74 vjeçarit tani druajnë për antarët e tjerë të familjes dhe për të gjithë njerëzit që kishin kontakt me 74 vjeçarin, për të cilin siç thonë nuk u kishte thënë askush se duhet të izolohet. Pos familjarëve i ndjeri kishte pasur kontakt edhe me dy mjek që e kishin kontrolluar. Edhe ceremonia e tij mortore ishte realizuar me të gjitha ritet fetare dhe pjesë e saj ishin bërë shumë miq e familjar. Vetëm sot, siç thonë familjarët, kishin vendosur të hyjnë në izolim shtëpiak ndaj dhe të pamet për 74 vjeçarin kryheshin në shtëpitë e fqinjëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *