“Monstra”, Apeli shqyrton ankesat e shqiptarëve të dënuar

“Monstra”, Apeli shqyrton ankesat e shqiptarëve të dënuar

Gjashtë shqiptarët, e dënuar me burgim të përjetshëm në rastin “Monstra”, kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit, që të anulojë vendimin e Shkallës së Parë.

Në seancën për shqyrtimin e ankesave, ata i thanë trupit gjykues të Apelit se nuk janë autorë të vrasjes së 5 të rinjve maqedonas dhe se janë viktima të një skenari të montuar nga shteti.

Avokatët e shqiptarëve të dënuar kërkuan nga Apeli ta kthejë për rigjykim rastin “Monstra”, pasi vendimi i Shkallës së Parë, sipas tyre, nuk ishte bazuar në asnjë provë.

“Kam besim te Gjykata e Apelit, pasi 5 gjykatësit janë profesionistë. Mendoj që aktgjykimi do të jetë në favorin tonë, sepse e kemi argumentuar edhe përmes dëshmive, se bëhet fjalë për një rast të montuar dhe se të dënuarit nuk janë fajtorë”, tha Naser Raufi, avokat.

Ndryshe nga pala mbrojtëse, prokurorja e lartë kërkoi të mbetet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë.

Pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Apelit, që zgjati për 7 orë, familjarët u shprehën pesimistë për rrëzimin e mundshëm të vendimit të Shkallës së Parë, pasi – siç thanë, – drejtësisë në Maqedoni nuk i beson më askush.

“Unë jam skeptik sa i përket vendimit. Nuk besoj se ekziston dikush këtu në gjykatë, që mendon pozitivisht sa u përket çështjeve për shqiptarët, por ndoshta do të orvaten me shpejtësi ta mjegullojnë vendimin dhe t’i japin  fund këtij rasti”, tha Bedri Ajdari.

Nga ana tjetër, familjarët e 5 maqedonasve – të vrarë në vitin 2012 në afërsi të Shkupit, – nuk ishin të pranishëm në seancën ku u shqyrtuan ankesat e 6 shqiptarëve, të dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, avokatët presin që Gjykata e Apelit të sjellë brenda një muaji vendimin lidhur me këtë rast, që njihet me emrin “Monstra”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *