Moszbatimi i Marrëveshjes së Përzhino do ta destabilizojë vendin, zgjedhjet mund të shtyhen

Moszbatimi i Marrëveshjes së Përzhino do ta destabilizojë vendin, zgjedhjet mund të shtyhen

Mosrespektimi i afateve kohore të parapara me Marrëveshjen e Përzhinos në Maqedoni, shton gjasat të shtyjë afatin e zgjedhjeve që priten të mbahen në prill të vitit 2016. Që të vihet në binarë marrëveshja nuk ndihmoi as prezenca e komisarit europian për zgjerim, Johanes Han. Nga takimi me të, liderët e partive u ndanë pa marrëveshje, gjegjësisht nuk u formua Qeveria teknike. Nga ana tjetër, edhe puna e prokurores speciale Katica Janeva si një nga detyrimet e Përzhinos gjithashtu mbetet e bllokuar.

Analistët për Portalb kanë komentuar shtyerjen eventuale të zgjedhjeve të 24 prillit.

Për analistin Xhelal Neziri anulimi i zgjedhjeve të prillit mund ta çojë vendin drejt destabilizimit. Edhe analisti Bashkim Bakiu shprehet pesimist në lidhje me përparimin e negociatave. Sipas tij, moszbatimi i Marrëveshjes do ta izolojë Maqedoninë. Nga ana tjetër, Petar Arsovski potencon se edhe në rast mosrespektimi të afateve kohore procesi i dialogut është i pandalshëm.

Xhelal Neziri: Maqedonia po shndërrohet në Ukrainë

“Nëse zgjedhjet shtyhen pas një marrëveshjeje plotësuese midis palëve në bisedime, atëherë mendoj se nuk do të ketë ndonjë problem. Por, nëse zgjedhjet shtyhen për shkak të mungesës së marrëveshjes apo të vullnetit politik për implementimin e saj, atëherë lirisht mund të konstatojmë se është fillimi i një kaosi politik dhe të sigurisë, nga i cili më të dëmtuar do të dalin qytetarët e Maqedonisë, pa dallim përkatësie etnike, partiake apo fetare. Duke marrë parasysh joseriozitetin e dëshmuar të liderëve politik, ikja nga obligimet e Marrëveshjes së 2 Qershorit dhe minimi i saj mendoj se vendi shkon drejt një destabilizimi apo konflikti me pasoja më të mëdha se ai i vitit 2001. Ky konflikt ka gjasa të shndërrojë Maqedoninë dhe rajonin në një fushë përplasjesh, njëjtë si Siria apo Ukraina. Ajo që kërkohet është konstruktiviteti dhe marrja e përgjegjësisë”, tha për Portalb Neziri.

Petar Arsovski: Nuk ka lidhje data e zgjedhjeve, procesi i dialogut është i pandalshëm

“Nuk mendojë se do të hyjmë në krizë më të thellë. Drejtimi i pastrimit të skenës politike nuk do të ndërrohet. Do të hyjmë në një proces të normalizimit, por që do të zgjatë më tepër. Unë nuk mendojë se rënia e marrëveshjes mund të interpretohet si rënie e shtetit. Qëndrimi im është që do të normalizohen gjërat, por kjo nuk do të thotë se do të respektohet marrëveshja e Përzhinos siç është e shkruar tani. Marrëveshja është një letër, çështja është procesi që qëndron pas asaj marrëveshje. A do të ketë zgjedhje deri në prill të vitit 2016 nuk e di, por procesi është i pandalshëm”, theksoi për Portalb Arsovski.

Bashkim Bakiu: Maqedonia në prag të izolimit, kriza sapo ka filluar

“Edhe më parë në qëndrimet e mia publike kam komentuar me sinjale pesimiste rreth arritjes së ndonjë marrëveshje. Madje edhe me sarkazëm se kriza politike tek do filloj. Jam i mendimit se kjo ndodh për shkak se Maqedonia nuk ka burrështetas, por ka politikan që mendojnë për zgjedhjet e ardhshme dhe për rejtingjet partiake jo për interes të shtetit dhe qytetarëve, duke u bazuar nga ky prizëm duke bërë kalkulime politike vështirë të arrihet ndonjë marrëveshje. Pastaj kjo garniturë që për momentin duhet të bindet (kam fjalën për qeverinë) ka që moti që qeverisin bashkë dhe kjo “harmoni “, qeverisëse edhe përskaj mos sukseseve vështirë se mund të negociohet dhe të arrihet marrëveshjeve, sepse protagonistët kryesore janë në qeveri. Maqedonia gradualisht do të izolohet nga faktori ndërkombëtare, për shkak se mekanizëm tjetër nuk ka, por jam i mendimit se kësaj mund t’i shtohet gradualisht edhe presioni qytetar, i cili gradualisht dalëngadalë mund të rritet që realisht madje edhe sot do të ndodhte në çdo vend demokratik dhe ku ka vetëdije qytetare, por rasti i Maqedonisë është më specifik për shkak të demografisë dhe mobilizimi është pak më i vështirë”, deklaroi për Portalb Bakiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *