Mustafa: Gati për dialog, nismën ta marrë Jahjaga. Asocacioni? S’ka as tradhti e as heroizëm

Mustafa: Gati për dialog, nismën ta marrë Jahjaga. Asocacioni? S’ka as tradhti e as heroizëm

Në një intervistë për Top Channel, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa thotë se, nuk ka as tradhti dhe as heroizëm në Asocacionin e Komunave Serbe. Ai shtoi se, kjo është zgjidhja e vetme, që integron Republikën e Kosovës si një shtet. Po ashtu, Mustafa thekson se është i gatshëm për dialog me opozitën në Kuvend, por tryezën – sipas tij, – e thërret Presidentja Jahjaga.

TCH: Zoti kryeministër, këtë të premte në mbledhjen e qeverisë Ju keni bërë një deklaratë, ku jeni shprehur të hapur jo vetëm për raportim në Kuvend, por edhe për t’u ulur në një tryezë bisedimesh. Gjithashtu keni pasur një takim me Presidenten Jahjaga…?

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Dialogun mund ta nisë Presidentja, ose të gjejë format sesi të dialogohet kjo çështje. Ndërkaq, ne si qeveri jemi në gjendje në çdo moment, kur Kuvendi të jetë i gatshëm, të shkojmë atje dhe të dialogojmë me ditë e me javë, për të informuar për çdo pikë, për çdo fjali të këtyre parimeve. Por, ne nuk mundemi të pranojmë akuzën se, dikush e ka tradhëtuar Kosovën, ose Kushtetutën e Kosovës dhe s’kemi çfarë të bisedojmë. Nënshkrimet mund të tërhiqen, nëse tërhiqet ligji mbi ratifikimin e marrëveshjes së parë, e cila është miratuar me 84 vota.

TCH: A mund të ndodhë kjo?

Isa Mustafa: Kjo është çështje e Kuvendit. Nëse Kuvendi mund të sigurojë mbledhjen e 84 votave të të gjitha palëve, atëherë është e mundshme. Mirëpo unë mendoj se kjo, as nuk mund të ndodhë, as nuk duhet të ndodhë, sepse është mënyra e vetme që ne të integrojmë pjesën e veriut. Opozita tani për tani nuk ka ofertë, ata janë në gjendje vetëm të gjuajnë me vezë, të hedhin gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, apo të më hedhin mua dhe eskortës sime hekura, për ta përmbysur ose për të bërë atentat.

TCH: Mendoni se kanë dashur t’Ju bëjnë atentat?

Isa Mustafa: Nëse të vendosin hekura të tillë, të ndërtuar në mënyrë speciale para makinës, ato nuk janë thjesht për t’i shpuar gomat, por për ta përmbysur makinën. Dhe kur të rrotullohet makina, ose humb jetën drejtuesi i mjetit, ose unë; ose mund të lëndohen persona të tjerë dhe të pësojnë dëmtime makina të tjera në rrugë. Por, këtu shtrohen pyetjet se, kush e merr përgjegjësinë dhe kush guxon ta bëjë këtë? Në këtë rast mendoj se kemi ende përgjegjësi të organeve shtetërore, sepse ata kanë dashur të zihen dhe opinioni publik të mësojë për atë që ka ndodhur.

TCH: Zoti kryeministër, keni frikë se situata mund të përshkallëzojë përtej asaj, që kemi parë deri më sot?

Isa Mustafa: Nuk kam asnjë lloj frike, përveç se faktit që shteti ligjor duhet të veprojë sipas ligjit. Ne po kapërcejmë mbi një periudhë mjaft të rëndë, sepse nuk është shumë e këndshme, as për mua e as për Thaçin, që të qëndrojmë për 17 orë në një bisedë me delegacionin serb, me ndërmjetësim të komunitetit ndërkombëtar. Janë gjëra të vështira, që ndodhin njëherë dhe ne do t’i përfundojmë këto. Pas përfundimit, ju garantoj juve dhe qytetarëve, që do të lirohemi nga këto, në mënyrë që të arrijmë të merremi me probleme jetike të qytetarëve.

TCH: Opozita Ju akuzon vazhdimisht. Ju ka quajtur tradhtar për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke vlerësuar se me atë krijohet një minishtet brenda Kosovës. Pse besoni që kjo nuk do të ndodhë, kur dihet qëndrimi i Serbisë karshi Kosovës? Gjithashtu edhe i serbëve të Kosovës, të cilët nuk e njohin atë si shtet?

Isa Mustafa: Problemi qëndron te problemet që kemi trashëguar. Një gjendje, ku Serbia ka ushtruar dominim të plotë në pjesën veriore të vendit. Sa i përket asociacionit dhe tradhtisë… këtu s’kemi të bëjmë as me heroizma dhe as me tradhti, por me një sjellje racionale, e cila si e vetme përkrahet nga SHBA-të dhe BE-ja. Unë po ju garantoj, që kjo është zgjidhja e vetme, që e integron Republikën e Kosovës si një shtet. Mendoj se, askujt nuk i bëhet pengesë, fakti që komunat me shumicë serbe të kenë mundësi të ulen bashkërisht me ne në tryezë dhe të flasin për arsimin, shëndetësinë…

TCH: Flasin dhe vendosin, apo jo?

Isa Mustafa: Jo, nuk vendosin. Ajo që vendosin ata nuk shkruhet askund. Ajo shkruhet vetëm në mendjen e atyre që po kundërshtojnë, sepse vendosin komunat dhe qeveria.

TCH: Komunat janë me shumicë serbe dhe, është logjike që ato do të donin të bashkoheshin në bashkësi, në atë që po krijohet?

Isa Mustafa: Ato që janë serbe, ne s’mund t’i bëjmë shqiptare. Është popullatë serbe dhe është komunë serbe.

TCH: Por, duke qenë se janë serbe, është logjike që ato do të donin të funksiononin si një bashkësi, si ajo që po krijohet, apo jo?

Isa Mustafa: Jo, jo. Por ato, edhe po të duan s’munden, sepse nuk ua lejon ligji. Marrëveshja është bërë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, ata duhet të vendosin dhe po vendosin vetëm mbi bazën e ligjit, të qeverisjes lokale, mbi bazën e ligjit për bashkëpunim ndërmjet komunave dhe mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës. Është e vërtetë, që ekziston ndikimi i Serbisë, por ne dëshirojmë që, përmes kësaj, ta evitojmë ndikimin e Serbisë te komunat që janë me shumicë serbe. Ky evitim bëhet edhe përmes kapitullit të 35-të, që i kushtëzohet Serbisë, sepse aty thuhet që Serbia duhet t’i zbatojë, përkatësisht t’i ekzekutojë, të gjitha marrëveshjet dhe duhet të heqë dorë nga ndërhyrja në Kosovë. Më tej, duhet gjithashtu që edhe ligjet e Kushtetutën e saj, Serbia t’i përshtasë. Në dialogun me Serbinë, kjo është arritja më e madhe.

TCH: A prisni që kjo të ndodhë, duke pasur parasysh qëndrimin e kryeministrit të Serbisë?

Isa Mustafa: Po, e pres. Jo sepse këtë dëshiron kryeministri i Serbisë apo kryepeshkopi, por për shkak se këtë e dëshirojnë Bashkimi Europian dhe SHBA-të dhe se, ata s’mund t’i bëjnë hapat e mëtejshëm të integrimit të tyre, nëse nuk plotësojnë kushtet e kapitullit të 35-të.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *