Mustafa: Kosova në UNESCO, fuqizim i subjektivitetit ndërkombëtar

Mustafa: Kosova në UNESCO, fuqizim i subjektivitetit ndërkombëtar

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përshëndeture votimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Bordi Ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka votuar me shumicë votash që të pranojë kërkesën e Republikës së Kosovës për t’u bërë anëtare e UNESCO-s, ndërsa shpresojmë që vendimi përfundimtar në favor të Kosovës do të merret nga Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate, thuhet në deklaratën e Kryeministrit.

“Përkrahja për shtetin e Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, është dëshmi e fuqishme se agjenda Euro-Atlantike e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare është një proces që po fuqizohet çdo ditë.

Parimet themeltare të UNESCO-s janë që të kontribuojë për paqen dhe sigurinë, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës dhe për të çuar përpara respektimin universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, së bashku me liritë themelore të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

“Këto parime janë fundamentale për një shoqëri demokratike, për të cilat është orientuar Kosova me një konsensus të plotë shoqëror dhe kulturor”, tha Mustafa.

“Procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO po bëhet me një punë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve tjera kompetente dhe nuk është e drejtuar ndaj asnjë shteti fqinj dhe as kundër ndonjë bashkësie etnike në Kosovë”.

“Nëpërmes anëtarësimit në UNESCO, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie ose religjioni dhe do të avancohet edhe më tutje bashkëjetesa, si një traditë qe e kemi ruajtur dhe kultivuar ndër shekuj”.

“Vendimi i Bordit të UNESCO-s për pranim në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është edhe një vendosmëri e shtetit të Kosovës për të ndërtuar partneritet të fuqishëm me miqtë tanë ndërkombëtarë. Shteti i Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi nuk do ta keqpërdor këtë përkrahje dhe besim, përkundrazi, do të jemi edhe më rigoroz në respektimin e të drejtave për arsim, shkencë dhe kulturë, të të gjithë qytetarëve, konform standardeve më të larta ndërkombëtare.

Në ditët e ardhshme na presin lajme të mira nga Brukseli për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj”, thuhet në deklaratën e Kryeministrit, transmeton Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *