Mustafa: Kosova nuk ka krizë institucionale, opozita të tërhiqet

Mustafa: Kosova nuk ka krizë institucionale, opozita të tërhiqet

Pavarësisht nga bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës në dy seancat e kaluara, kryeministri Isa Mustafa nuk e sheh këtë si krizë institucionale apo bllokadë politike. Në një konferencë për mediat, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mustafa tha se është i hapur për debat, duke shtuar se nuk do ta heqë nënshkrimin nga marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe se në këtë çështje nuk ka vend për referendum.

“Jam i bindur se, as nuk ka dhe as nuk mund të ketë krizë. Po të ishte puna kështu, asnjë vend demokratik nuk do të funksiononte anembanë botës, nëse do të ngrihej opozita e do të bllokonte punimet, duke pamundësuar zhvillimin në mënyrë normale të punëve. Ne jemi të hapur për debat. Nuk mund të mbajmë takime për të hequr nënshkrimin. Ai nuk hiqet, sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe është ligj që na detyron”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Sa iu përket masave që duhet të ndërmerren për ta rikthyer në punë Kuvendin, për kryeministrin Mustafa kjo është një çështje që i takon Kryesisë dhe kryetarit të saj. Ai theksoi edhe njëherë se, fjalën e fundit për kushtetueshmërinë e Asosacionit e ka Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ndërsa më pas u shpreh i gatshëm të raportojë në Kuvend kur të krijohen kushtet, por i mbetet Kuvendit dhe Kryesisë së tij që të vendosin se kur.

Duke folur për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, një temë kjo e diskutuar me përfaqësuesit e shtetit amerikan, duket se Qeveria e Kosovës ka vendosur që mënyra e vetme drejt transformimit është ndryshimi i Kushtetutës. Gjithsesi, mbetet i pandryshuar qëndrimi i “Listës Serbe”, votat e së cilës janë të nevojshme, gjë për të cilën kryeministri Mustafa rikonfirmoi pavendosërminë e tyre ndaj kësaj çështjeje.

“Transformimi nuk mund të bëhet përmes rrezikimit të pajtueshmërisë së brendshme, por duke ruajtur pajtueshmërinë që është arritur. Nuk mund të flas për afate. Ne do të punojmë pa rreshtur. Nuk është në dëm të komunitetit serb, është një çështje që ka marrë rrugën e saj dhe unë mendoj se do ta realizojmë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i kosovës.

I pyetur nga një gazetar nëse ka pajtim nga “Lista Serbe” për këtë çështje, kryeministri Mustafa u shpreh shkurtimisht se “një ditë ka, një ditë… (Jo)”, duke e shoqëruar edhe me buzëqeshje.

Në këtë konferencë, kryeministri Mustafa e vlerësoi si të suksesshme vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e udhëheqësve botërorë kundër ISIS-it dhe terrorizmit. Ai tha se, nga dhjetëra takime që ka zhvilluar në Amerikë, ka marrë mbështetje të fortë për rrugën e Kosovës drejt BE-së, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe liberalizimin e vizave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *