Parlamenti iranian mbështet marrëveshjen nukleare

Parlamenti iranian mbështet marrëveshjen nukleare

Parlamenti iranian aprovoi marrëveshjen për programin bërthamor, të arritur me 6 fuqitë botërore.

Ujdia u miratua me 161 vota në favor, 59 kundër dhe 13 abstenim, siç bëri me dije agjencia zyrtare e lajmeve Irna.

Gjithsesi parlamenti këmbënguli se inspektorët ndërkombëtar duhet të kenë qasje të kufizuar në zonat ushtarake.

Marrëveshja, e arritur në muajin korrik pas 20 muajve bisedime mes Iranit dhe të ashtuquajturit grupi, 5+1 ku bën pjese SHBA, Britania, Franca, Kina, Rusia plus Gjermani, autorizoi heqjen e sanksioneve për Iranin në këmbim të reduktimit të aktiviteteve bërthamore nga ana e republikës Islamike.

Gjithsesi marrëveshja ka nxitur kritika të ashpra, nga ndjekësit e linjës së ashpër si në SHBA ashtu edhe në Iran.

Në muajin shtator republikanët në Kongresin Amerikan tentuan të rrëzonin paktin, duke votuar për një mocion kundër tij.

Gjithsesi demokratët grumbulluan votat e mjaftueshme për të bllokuar mocionin, duke i mundësuar presidentit Obama një fitore politike.

Në Iran, parlamentarët konservatorë kritikuan presidentin Hasan Rohani, pasi ky sugjeroi se po vononin qëllimisht arritjen e marrëveshjes.

Sipas korrespondentëve mosmarrëveshjet për ujdinë, kanë sjellë përplasje të ashpra në parlamentin Iranian.

Teherani këmbëngul se programi i tij nuklear është tërësisht paqësor.

Këshilli i Sigurimit të OKB miratoi 7 rezoluta mes 2006 dhe 2015-s duke i kërkuar Iranit të ndalë aktivitetet për pasurimin e uraniumit, i cili mund të përdoret për qëllime civile, por gjithashtu edhe për krijimin e bombave nukleare. Katër nga rezolutat, kërkuan vendosjen e sanksioneve në përpjekjen për të detyruar Iranin të bindet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *