Policia e Kosovës arrestoi 10 protestues, një policë i lënduar

Policia e Kosovës arrestoi 10 protestues, një policë i lënduar

Policia e Kosovës të premten pasdite dhe në mbrëmje, deri në orët e hershme të së shtunës, ishte angazhuar maksimalisht për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike.

Përveç në sigurimin brenda Kuvendit të Kosovës, ku pati katër raste të hedhjes së gazit lotsjellës, një herë në korridorin pranë zyrës së kryeparlamentarit dhe tre herë në sallën plenare, policia ishte e angazhuar edhe në sigurimin e ndërtesës së Kuvendit. Gjatë kohës së zhvillimeve brenda në Kuvendin e Kosovës, nga ora 16 deri diku rreth orës 23, një grup prej rreth 150-200 personave që kanë qëndruar jashtë rrethojave të Kuvendit, kanë protestuar duke hedhur mjete piroteknike, boca me ngjyrë të përcjella me tym e zjarr dhe fishekzjarre.

Rreth orës 23:30, kur kishte rifilluar seanca, protestuesit shfaqën dhunë të shtuar duke filluar të hedhin edhe koktej mollotovi duke rrezikuar jetën e policëve.

Me këtë rast njësitet policore reaguan duke përdor gaz lotsjellës për shpërndarje të turmës. Disa protestues të dhunshëm gjatë lëvizjes dhe shpërndarjes së tyre, në disa rrugë kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kontejnerë për të penguar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të komunikacionit rrugor, thuhet në komunikatën e policisë.

Me ktë rast, policia ka arrestuar 10 protestues të dhunshëm të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore ndërsa, si pasojë e dhunës së protestuesve, është lënduar një polic.

Krejt në fund, rreth orës 2 në mëngjesin e të shtunës, Policia e Kosovës ka arritur ta vejë situatën nën kontroll dhe tani ajo është e qetë e stabile.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *