Reali zhgënjen në nisjen e epokës Benitez. Pa gola me asturianët e Gijonit

Reali zhgënjen në nisjen e epokës Benitez. Pa gola me asturianët e Gijonit

Epoka e “mbretërimit” të Rafael Benitezit te Reali i Madridit ka nisur me një rezultat tepër zhgënjyes, teksa “galaktikët” nuk kanë shkuar më shumë sesa barazimi pa gola në transfertën asturiane, me të sapongjiturit e Sportingut të Gijonit.

“Los Blancos” jo vetëm që kanë humbur 2 pikë nga kjo sfidë, por që pas 90 minutave të para në La Liga e shohin veten 2 pikë pas kampionëve të Barcelonës, të cilët u “hakmorën” për humbjen në Supërkupën e Spanjës ndaj Athletic Bilbaos, falë golit të Luis Suarezit në pjesën e dytë.

Sa i përket sfidës së madrilenëve, Sportingu rikthehej të luante një ndeshje në La Liga pas 3 vitesh mungesë, por falë edhe përkrahjes së zjarrtë të tifozëve vendas arritën të ndalnin miqtë nga Madridi. Madje, mund të kishin marrë edhe 3 pikët e famshme, nëse goditja me kokë e Antonio Sanabrias në pjesën e parë do të kishte kaluar vijën fatale.

“Është e qartë që pjesa e parë nuk ishte aspak e mirë. Në të dytën, ekipi kontrolloi më shumë topin, krijuam raste të shumta për gol dhe në disa prej tyre thjesht sa i shpërdoruam”, tha kapiteni i Realit, Sergio Ramos.

Benitez e nisi sezonin me një spostim taktik, duke e aktivizuar Gareth Bale në një pozicion disi më qëndror, ndryshe nga krahët ku ka luajtur gjithnjë. Uellsiani u shfaq sërish zhgënjyes, duke mos krijuar rastet e mjaftueshme për shënim gjatë pjesës së parë.

Edhe pse Sportingu u mbyll në gjysmëfushën e tij në 30 minutat e fundit, asturianët arritën të përballonin çdo lloj presioni nga Reali. Cristiano Ronaldo, nga ana tjetër, dukej më larg se kurrë nga porta kundërshtare, teksa disa herë dështoi të shfrytëzonte edhe krosimet perfekte të James Rodriguezit, apo edhe të Danilos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *