Rinovim i tërësishëm i shkollës fillore të muzikës “Enver Stafai” në Gostivar

Rinovim i tërësishëm i shkollës fillore të muzikës “Enver Stafai” në Gostivar

Pas tre dekadash funksionim, shkolla fillore e muzikës “Enver Stafai” në Gostivar, do të rinovohet. Aty ndërrohen dyert, nyjet sanitare, toaletet, ndriçimi ndërsa do të bëhet edhe lyerja e të gjitha hapësirave të brendshme. Paralelisht punohet edhe në adaptimin e klasave për zhvillim më të mirë të procesit arsimor. Drejtoresha e shkollës, Betime Jakupi sqaron se i gjithë investimi është i Komunës së Gostivarit.

“Shkolla jonë ekziston 30 vite, kishte shumë nevojë për rinovime nga të gjitha anët dhe erdhi moment që ta bëjmë këtë gjë. Menduma të bëjmë rinovimet kryesore, siç është: vendosja e pllakave dhe llaminatit në korridor dhe hapësirat e klasave dhe toaleteve. Më pas do të vazhdojmë edhe me ndriçimin dhe shumë rinovime të tjera. Të gjitha këto bëhen me mbështetjen e Komunës së Gostivarit për çka i falenderojë jashtë mase, sepse pa ato nuk do të mund t’i bënim këto rinovime”, deklaroi drejtoresha e shkollës, Betime Zylali.

Në këtë shkollë mësim nuk është obligativ, por interesimi i nxënësve është i madh, megjithëse mungojnë instrumetet muzikore. 123 nxënës ndjekin vetëm mësimin teorik dhe për piano. Ky instrument ka qenë i vetmi që nga themelimi i shkollës. Udhëheqësia aktuale për çdo vit ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të shtohet numri i instrumenteve, por përgjigje pozitive nuk ka patur. Shpresojnë këtë vit të paktën edhe një instrument t’a shtojnë.

“Janë 123 nxënës në total momentalisht, numër i cili lëviz vazhdimisht sepse këtu nuk është shkolla obligative. Në fillim regjistrohen më shumë pastaj vijnë më pak, pastaj pendohen dhe vijnë përsëri e kështu me radhë. Megjithatë, është një numër i konsiderueshëm dhe i mjaftueshëm për një shkollë fillore të muzikës dhe në krahasim me numrin e banorëve në Gostivar. Për fat të keq e kemi vetëm pianon ashtu siç ka qenë dhe ashtu është akoma”, tha më tej drejtoresha, Betime Jakupi.

Në këtë shkollë ka të punësuar vetëm gjashtë mësimdhënës, ndërsa mësimi ndiqet në tre gjuhë: shqip, turqisht dhe maqedonisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *