Sëmundja e ka ngujuar në shtrat, 66 vjeçarja ka nevojë për ndihmën e njerëzve që të ecë sërish

Sëmundja e ka ngujuar në shtrat, 66 vjeçarja ka nevojë për ndihmën e njerëzve që të ecë sërish

“Unë kam nevojë për gjithçka, nuk ka kush me jep edhe një gotë ujë”. Kështu e nis rrëfimin e saj 66 vjeçarja Zurije Ahmeti nga Gostivari, e cila prej vitesh jeton e vetme. Vetmisë së saj tani i është shtuar edhe sëmundja e këmbëve e cila e ka lënë për një muaj të pa lëvizshme dhe të ngujuar në shtrat. Ajo kërkon ndihmën e shtetit, të paktën për t’i siguruar një kontrollë mjekësore pasi nuk e din arrsyen se cila është sëmundja që i ka bllokuar këmbët.

Prej vitesh 66 vjeçarja jeton me lëmoshë që i japin të tjerët pasi nuk mund të sigurojë asistencë sociale nga shteti. Ajo edhe pse ka lindur dhe ka jetuar në Gostivar, nga viti 2011 nuk mund të nxjerrë shtetësi të Maqedonisë, për çka vazhdimisht rrefuzohet nga institucionet për ndihmë sociale.

Ajo shërohet kokë më vete me barna të cilat i gjenden në banesën e saj. Druan se mund të helmohet pasi nuk e din se nga cila periudhë dhe për çfarë i ka ato ilaçe. Ndërkohë nuk ushqehet siç duhet edhe për shkak të mungesës së ushqimeve por edhe për shkak se nuk mund të lëviz nga shtrati për të shkuar në toalet.

Ajo nuk ka asnjë të afërm, i vetmi person që kujdesat herë pas here për të, është fqinja e saj, Lubica Angellkoska e cila jeton dy kate sipër 66 vjeçares.

“Kjo grua ka nevojë për gjithçka. Nuk ka para, pastaj nuk kemi kushte për ta dërguar as edhe deri te mjeku. Nuk ka as karrocë që të mund të lëviz sepse vetë nuk është në gjendje të ngrihet në këmbë. Pi gjithë këto barna, por nuk e din pse i merr. Unë si një njeri i huaj, dhe pasi tani shpejtë banojmë këtu te kjo ndërtesë, nuk e di se për çfar i merr ato barna. E di vetëm se vuan nga diabeti, por sëmundjet tjera nuk ja di, prandaj dhe kam frikë mos i ndodh diçka”.

Ajo thotë se para disa ditësh kanë marrë udhëzim për t’ia bërë analizat, megjithatë mjekët i kanë thënë se ata nuk shkojnë në shtëpi, por pacienti vetë duhet të shkojë në spital.

“Nga spitali kemi kërkuar. Ja ku e kemi udhëzimin e para disa ditëve, por na thanë se duhet ajo vetë të paraqitet si paciente që ti bëhen analizat. Unë i them mjekut se ajo nuk është në gjendje të lëviz, ai më thotë ne në shtëpi nuk shkojmë”.

Lubica Angellkoska thotë se edhe për ushqimin e fqinjes së saj përkujdeset ajo dhe familja e saj, por shqetësim e ka trajtimin mjekësorë të saj, pasi të gjithë ato barna që i konsumon, thonë se mund ta çojnë drejtë fataliteti fqinjen e saj. Pa një ndihmë sociale ose pension dhe pa njeri i cili do të kujdeset për të, Zurije Ahemtit çdo ditë ia shuajnë shpresat e jetës. Pret ndihmën e çdo kujtë, veçanërisht të institucioneve. Të gjithë ata bemirës që dëshirojnë ti dalin në ndihmë, atë mund ta kontaktojnë në numrin e telefonit: 071 652 402.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *