Grupi i valleve dhe grupi instrumental nga SH.K.A. “JAHI HASANI” sapo janë kthyer nga festivali mbarëkombëtar “SYZI” i cili u mbajt në Obiliq të Kosovës për dy ditë me rradhë.
Në këtë festival grupet artistike të SH.K.A. “JAHI HASANI” u prezantuan në natën finale të festivalit me valle, këngë, dhe melodi instrumentale tradicionale të rrethit të Pollogut. Prezentimi i suksesshëm i valleve dhe grupit instrumental, si dhe prezentimi me veshjet kombëtare ndër më të bukurat nga grupet e pranishme, i sollën shoqërisë kulturore artistike nga Çegrani vendin e tretë.
“Paraqitje tepër e bukur dhe më shumë kualitet e grupit instrumental që mbushen skenën me gjitha instrumentet e folklorit burimor nga çiftelia, shargia, kavalli lodrat e zurlet, një orkestër që mori ovacione të shumta si me interpretim ashtu edhe me këndimin e këngës. Nuk mungoi as dhe loja e bukur e artisteve të valles që ishin një kombinim i moshave të ndryshme që dhanë shume që të arrihet ky rezultat i madh. Një çmim i merituar dhe një sukses që na mësoi edhe me shume se puna sidomos me grupin e ri është investimi që dha suksesin e radhës. Duke ju falënderuar gjithë grupit për këtë paraqitje tepër të bukur si dhe çmimin e madh të fituar, shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe kompaninë turistike Euro Turist Gostivar me pronar Valon Selimi për transportin e grupit nga Çegrani për në Obiliq”, tha për TV GLOBI Zani Memedi drejtor i grupit.
Kjo është hera e parë që SH.K.A. “JAHI HASANI” i përgjigjet ftesës nga festivali “SYZI” në Obiliq të Kosovës. Edhe pse në mungesë të disa prej valltarëve kryesor, kualiteti dhe cilësia artistike tregojnë se ky grup është një ndër grupet më konkuruese në rajon sa i përket kultivimit dhe ruajtjes së vlerave kombëtare kulturore shqiptare.
Në festivalin “SYZI” në Obiliq vendin e parë e mori ansambli “EMIN DURAKU” nga Shkupi, vendin e dytë Ansambli i qytetit të Obiliqit “Kemajl Azizi” dhe vendin e tretë SH.K.A. “JAHI HASANI” nga f. Çegran i Gostivarit. Poashtu në këtë festival nga rradhët e SH.K.A. “JAHI HASANI” u zgjodh instrumentalisti më i mirë i festivalit Adnan Aliu – kavallist.
SH.K.A. “JAHI HASANI” sapo është kthyer nga Italia ku morri pjesë në një ndër festivalet më të mëdha botërore në qytetin e Castrovillarit duke prezantuar kulturën shqipëtare në nivele të larta artistike, me grupe nga shtete të ndryshme të botës.